Presidenti shqiptar takon liderët e partive, Kovaçevski: RMV dhe Shqipëria i kanë plotësuar kushtet, radhën e ka BE (VIDEO)

by admin
Spread the love

Radhën e ka BE-ja, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar të gjitha kushtet për bisedime për anëtarësim. Kështu u shpreh mandatari për formimin e Qeverisë së re, njëherë edhe kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski në takimin me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

Në takim, siç kumtoi LSDM, u bë fjalë për më shumë tema aktuale, por në fokus ishte bashkëpunimi i ndërsjellë, nisma “Ballkani i Hapur” dhe procesi i eurointegrimeve.

“Jam i bindur se së shpejti që të dy vendet do t’i fillojnë negociatat për anëtarësim në Union, pasi edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria deri tani kanë plotësuar gjithçka çka është kërkuar prej tyre. Tani e ka radhën BE-ja”,
tha Kovaçevski.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta gjatë qëndrimit 3-ditor në vendin tonë u taku edhe me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Mes tjerash kanë diskutuar mbi projektin e Korridorit 8.

“Bashkëbiseduam për Korridorin 8 dhe rëndësinë që ka për vendet tona. Temë tjetër diskutimi ishte edhe Qeveria e re në vendin tonë, ku z. Meta më uroi suksese dhe tha se si shtet mik urojnë që sa më shpejtë të zgjidhet kontesti me Bullgarinë dhe të ecim së bashku drejt Bashkimit Europian”, deklaroi Ahmeti.

Meta dje realizoi takim edhe me liderin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Siç njofton Mickoski, në takim është folur për ndërtimin e urave dhe sigurimin e ardhmërisë së përbashkët.

“Në darkën e punës me mikun tonë, presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Për sfidat e përbashkëta, ndërtimin e urave dhe ardhmërinë të cilën duhet ta sigurojmë. Maqedonia duhet të ecë përpara, me shpresë për ndryshime, për ardhmëri për të gjithë qytetarët”, shkroi Mickoski.

Ndërkaq sot presidenti i Shqipërisë takoi edhe kreun e opozitares Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela. Ai tha se temë kryesore e bisedës ishte edhe liria e qytetarëve dhe si ata të jenë më afër perëndimit.

“U diskutua për situatën politike në vend, për zhvillimet në rajon, eurointegrimet. Po realisht me një fjalë se si Ballkani të jetë më stabil, më i qetë, më afër BE dhe më i integruar dhe kuptohet që temë kryesore është liria e qytetarëve, të jenë më të lirë dhe më afër perëndimit”, u shpreh Sela.

Gjatë ditës së djeshme Meta është takuar edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin, Talat Xhaferi. Gjatë këtyre takimeve Presidenti shqiptar theksoi se është i qartë përparimi që Maqedonia e Veriut e ka arritur gjatë viteve të kaluara dhe theksoi se fillimi negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut jo vetëm që është i rëndësishëm për të dy vendet, por është edhe në interes të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Video:

 

You may also like