Presidenti Biden nxjerr në pah arritjet e politikave të tij ekonomike

by admin
Spread the love

Duke i paraprirë fushatës për rizgjedhjen në vitin 2024, Presidenti Joe Biden po paraqet suksesin e politikave të tij për ta rritur ekonominë për shtresat më të varfëra dhe për të zgjeruar shtresën e mesme, duke mbajtur kështu nën kontroll inflacionin dhe duke ulur papunësinë.

Gjatë një fjalimi në Çikago për vizionin e tij ekonomik, të mbiquajtur “Bidenomics” nga Shtëpia e Bardhë, presidenti vuri në dukje atë që e quajti rritjen më të madhe ekonomike ndër vendet me ekonomitë më të mëdha të botës, që nga periudha e pandemisë.

“Kemi shtuar mbi 13 milionë vende pune, më shumë vende pune brenda dy viteve se ç’janë shtuar nga ndonjë president gjatë një mandati katërvjeçar”, tha ai. “Dhe kjo miq nuk është aksidentale. Kjo është Bidenomics në veprim”.

Ai e përmblodhi axhendën ekonomike në tre shtylla: bërja e investimeve të mençura në Amerikë, arsimimi dhe fuqizimi i punonjësve amerikanë me qëllim zgjerimin e shtresës së mesme, si dhe nxitja e konkurencës me kosto më të ulëta dhe ndihma për bizneset e vogla.

Përpara se ai të mbante fjalimin, ndihmësat e tij kanë vënë në dukje ngadalësimin e inflacionit dhe nivelin e papunësisë që ka qëndruar në 4% që nga muaji shkurt i këtij viti.

“Përqindja e amerikanëve të moshës madhore që janë pjesë e forcës punonjëse është më e lartë tani se ç’ka qenë për 15 vitet e fundit”, tha “të martën gjatë një konference për shtyp Lael Brainard, drejtore e Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë. “Ndërsa kemi më shumë punë për të bërë, inflacioni ka rënë për 11 muaj me radhë”.

Treguesit e fundit ekonomikë i japin administratës arsye për të qenë optimiste. Ndërsa inflacioni vazhdon të përbëjë sfidë, punëdhënësit vazhdojnë të punësojnë njerëz, dhe çmimet e mallrave të konsumit u rritën me një ritëm më të vogël në muajin maj, krahasuar me vitin e kaluar.

Por deri më tani, shumica e amerikanëve nuk kanë optimizmin e administratës. Sipas anketimit më të fundit të kompanisë Ipsos, niveli i mbështetjes për Presidentin Biden vazhdon të qëndrojë në pak mbi 40%. Ekonomia vazhdon të jetë një shqetësim kryesor, dhe shumica janë pesimistë për drejtimin që ka marrë vendi, një fakt që republikanët janë të gatshëm ta nënvizojnë.

“Është vërtet tronditëse për mua që presidenti vazhdon të ketë guximin të thotë gjëra si ‘familjet e punëtorëve po korrin të mirat e politikave të tij’, tha kreu i republikanëve në Senat, John Thune, më herët këtë muaj. “Familjet e punëtorëve po marrin vërtet rezultatet e politikave të presidentit, por ato nuk janë përfitime”.

Ish-Presidenti Donald Trump, i cili ka shpallur se kandidon sërish për vitin 2024, kritikoi politikat ekonomike të Presidentit Biden si “taksa të larta, rregulla të dëmshme, inflacion dërrmues, luftë ndaj energjisë amerikane, kosto shumë të rritura energjitike, marrëveshje ndërkombëtare globaliste që zhduknin vendet e punës, si Marrëveshja Klimatike e Parisit, si dhe dorëzimi i plotë ekonomik përballë Kinës dhe vendeve të tjera. Politika ekonomike Amerika e Para përkundër Amerika e Fundit”.

Një shkëputje nga të dhënat

Hendeku mes të dhënave ekonomike dhe mënyrës se si njerëzit ndihen për mirëqenien e tyre financiare mund t’i atribuohet faktit se amerikanët nuk po e pranojnë siç duhet lajmin e mirë, tha zëdhënësi i kompanisë Ipsos, Chris Jackson. Ai vuri në dukje një anketim që mat njohuritë e amerikanëve për zhvillimet pozitive ekonomike, si papunësia e ulët dhe rënia e inflacionit, kundrejt lajmeve të këqija si problemet e zinxhirit të furnizimit dhe inflacioni i lartë.

“Lajmet e këqija, të gjithë i dinë. Lajmin e mirë, shumë pak amerikanë e dinë”, i tha ai Zërit të Amerikës. “Në një mjedis të tillë është e vështirë të paraqesësh një rast bindës se po bën një punë të mirë, kur askush nuk di diçka që është e mirë”.

Hendeku është pjesë e arsyes përse Presidenti Biden po përhap mesazhin e tij ekonomik për t’i bindur amerikanët se ekonomia po lulëzon nën udhëheqjen e tij.

Fjalimi i Presidentit Biden është pjesë e një fushate trejavore, gjatë së cilës zyrtarët e lartë do të udhëtojnë në të gjithë vendin për të argumentuar se legjislacioni i mbështetur nga presidenti po jep rezultate për amerikanët. Këtu përfshihen investimet masive sipas ligjit për infrastrukturën, paketa e shpëtimit financiar për COVID-19, dhe ligji për mikroprocesorët dhe shkencën që injekton mbi 52 miliardë dollarë në sektorin e punës kërkimore për gjysmëpërçuesit, për prodhimin e tyre dhe për zhvillimin e forcës punonjëse.

Republikanët thonë se disa nga politikat e administratës janë tepër të kushtueshme dhe kontribuojnë për inflacionin e lartë. Ata thonë se pjesa më e madhe e vendeve të punës që janë shtuar që nga viti 2021, janë thjesht vende pune që po rifitoheshin pasi u humbën gjatë pandemisë.

Vendimi për ta lidhur ecurinë e vendit me emrin e presidentit reflekton vetëbesimin e administratës se trajektorja është në rritje dhe se ekonomia nuk do të bjerë në recension – të paktën deri në nëntor 2024, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale. /VOA


Top Channel

You may also like