Presidenti Biden njofton përpjekje të reja kundër dhunës me armë

by admin
Spread the love

Presidenti Joe Biden filloi një fushatë të re të enjten për të luftuar krimet me armë, për të rritur punën hetimore ndaj shkelësve të dhunshëm të ligjit dhe për të filluar përpjekje të reja kundër trafikut dhe blerjeve të paligjshme të armëve.

Presidenti Biden vizitoi qytetin e Nju Jorkut ku shkëmbeu mendime me kryebashkiakun e ri Eric Adams, i cili ka qenë më parë në detyrën e kapitenit të policisë dhe i është dashur të përballet që në muajin e tij të parë në detyrë me vrasjen e dy punonjësve të policisë dhe me sulmin me armë ndaj një të treti.

Presidenti Biden tha se qeveria federale do të shpërndajë 350 milionë dollarë fonde në qytete të ndryshme të vendit për të ndihmuar në përballjen me një valë krimi të rritur gjatë dy viteve të pandemisë.

Në Shtetet e Bashkuara, republikanët shpesh akuzojnë demokratët, partinë politike të Presidentit Biden, se janë më të butë se ç’duhet në parandalimin e krimit dhe se përpiqen të shkurtojnë buxhetin e forcave të zbatimit të ligjit.

Por, vetë Presidenti Biden deklaroi se “Përgjigja nuk është heqja e fondeve të policisë”.

Kontrolli ndaj armëve është një ndër temat më të nxehta politike në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara garanton të drejtën e mbajtjes së armëve. Për dekada të tëra, debate të nxehta janë zhvilluar se sa mund të mbikqyret apo kufizohet kjo e drejtë.

Megjithë vrasjet massive dhe të shpeshta në shkolla, dyqane dhe biznese në Shtetet e Bashkuara, përpjekjet në Kongres për të vendosur kontroll më të fortë ndaj mbajtjes së armëve, apo për të ndaluar shitjen e armëve automatike, rregullisht nuk kanë arritur të miratohen.

Presidenti Biden nuk njoftoi ndonjë iniciativë të re për të vendosur nën kontroll mbajtjen e armëve, por tha se kompanitë prodhuese të armëve “duhet të mbahen përgjegjëse”. Ai tha se “më duket revoltuese” që në Shtetet e Bashkuara ka kontroll për shitjen e cigareve, por për armët jo dhe aq.

Shtëpia e Bardhë tha se në kuadrin e kësaj përpjekjeje të re, Departamenti i Drejtësisë i ka urdhëruar prokurorët federalë në mbarë vendin “të shtojnë burimet e dedikuara për strategjitë për krimet e dhunshme në rajone të caktuara… në mënyrë që të largohen nga rruga personat e dhunshëm që shkelin ligjin në mënyrë të përsëritur”./VOA


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like