Presidenti Biden nis turin e “naftës” në Lindjen e Mesme, inspekton në Izrael armën e fuqishme me lazer

by admin
Spread the love

Presidenti Joe Biden ka nisur turin e tij të parë në Lindjen e Mesme me një detyrë të rëndësishme, të sigurojë zyrtarët izraelitë dhe sauditë se është i përkushtuar që ta ndalë Iranin të bëhet fuqi bërthamore.

Izraeli ishte ndalesa e tij e parë, ku me anë të Air Force One mbërriti në aeroportin Ben Gurion, pistën e të cilit e shkeli për herë të parë në 1973 si senator.

Biden e konsideroi lidhjen mes popullit amerikan dhe atij izraelit tepër të thellë, ndërsa veprimi i parë që bëri ishte inspektimi i sistemit të fuqishëm të mbrojtjes raketore “Iron Beam” që eliminon rreziqet me anë të një lazeri.

“Konfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit, duke përfshirë partneritetin me Izraelin në sistemet më të avancuara të mbrojtjes në botë”, deklaroi Biden.

“Kjo është edhe një vizitë personale gjithashtu, pasi marrëdhënia juaj me Izraelin ka qenë gjithmonë personale. Ju dikur e keni quajtur veten një sionist. Ju keni thënë se nuk duhet të jeni hebre për të qenë Sionist. Keni të drejtë dhe ju jeni një sionist i madh si dhe një nga miqtë më të mirë që ka njohur ndonjëherë Izraeli”, shtoi kryeministri izraelit Yair Lapid.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të qëndrojë 3 ditë në Izrael, ndërsa ka parashikuar dhe një vizitë në Bregun perëndimor dhe takime me liderë të Palestinës. Biden do të diskutojë kryesisht për ndërtimin e një arkitekture të re të sigurisë dhe ekonomisë me vendet e Lindjes së Mesme.

Ndër synimet është rinovimi i një koalicioni të fortë global për ndalimin e programit bërthamor iranian, si dhe afrimi i mëtejshëm mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, dy armiq historikë.

Pikërisht Riadi do të jetë ndalesa e radhës e Biden, ku do të tentojë të bindë sauditët të rrisin furnizimet globale me naftë për të lehtësuar krizën energjetike të nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

You may also like