Presidentët/ Zhang në podium, ja pesë më të suksesshmit tek Interi

by admin
Spread the love

 

Superkupa e tretë radhazi e Italisë e fituar në Riad ndaj Napolit vlen edhe një hap në “ngjitjen” e Interit të markës “Suning” drejt Olimpit zikaltër. Trofeu i shtuar në kabinetin e trofeve të Interit, i 45-ti në 116 vjet histori, është në fakt i gjashti nën drejtimin e Stiven Zhangut, që tani synon vendin e dytë të mbajtur nga Anxhelo Morati.

MASIMO MORATI –

Në vendin e parë në renditjen speciale është gjithmonë presidenti i tripletës së 2010-ës. Në gati 20 vit, nga 1995 deri në 2013, vitrina zikaltër u pasurua me 16 trofe (nga të cilët pesë mbërritën me Faketin si president). Pas zhgënjimeve të viteve të para, Morati korri frytet e investimeve të mëdha, duke inauguruar një dekadë suksesi me Roberto Mançinin (në fillim) dhe Zhoze Murinjon më vonë.

ANXHELO MORATI –

Babai i Masimos, është në shkallën e dytë të podiumit, falë 7 trofeve të grumbulluara në 1955-1968. Ishte presidenti që e dërgoi Interin në çatinë e botës duke fituar dy kupa ndërkontinentale radhazi (1964, 1965), ai që e bëri i pari klubin zikaltër të madh edhe jashtë kufijve kombëtarë. Ai ishte arkitekti i Interit të Helenio Herrerëss, i aftë për t’u ngjitur në majat e Europës duke likuiduar Real Madridin legjendar dhe Benfikën e Euzebios. Përveç pokerit të titujve ndërkombëtarë, Interi i Anxhelos fitoi edhe tri kampionate.

STIVEN ZHANG –

Pak më shumë se pesë vjet presidencë dhe tashmë gjashtë tituj të festuar për më të riun që ka udhëhequr ndonjëherë klubin (32 vjeç). Numri një aktual i zikaltërve tashmë ka arritur një sukses të arritur më parë vetëm nga dy presidentë: fitimi i të paktën një titulli për katër sezone radhazi, siç ndodhi me Interin e Anxhelo Moratit dhe atë të Masimos.

IVANOE FRAIXOLI –

Presidenti i dashuruar, i cili u rrit duke admiruar golat e Meacës ishte anëtar i zikaltërve kur Interi ishte ende Ambroziana. Ai mori presidencën në vitin 1968 duke qëndruar në detyrë për 16 vjet gjatë të cilave fitoi dy kampionate dhe po aq kupa italiane. Humbja në finalen e Kupës së Kampionëve ndaj Ajax-it i heq trofeun më prestigjioz, por ai mbetet ndër pesë presidentët më të suksesshëm dhe më të dashur në historinë e klubit.

ERNESTO PELEGRINI –

Pasardhësi i Fraixolit, Pellegrini qëndroi në detyrë për një periudhë më të shkurtër, por grumbulloi të njëjtin numër trofesh: 4, përfshirë një kampionat. Ishte ai që ndërtoi Interin e gjermanëve (Rumenige, Mateus, Brehme dhe Klinsman) dhe fitoi të ashtuquajturën “skudeto të rekordeve” në 1980 falë drejtimit të Xhovani Trapatonit. Me Pelegrinin u rikthye pasurimi me dy trofe ndërkombëtarë, kupat UEFA të fituara në 1991 dhe 1994, duke thyer një thatësirë kontinentale prej 26 vitesh.

PANORAMASPORT.AL

You may also like