PRAGË – Vendet e BE-së miratojnë taksën minimale globale pa mbështetjen e Hungarisë

by admin
Spread the love

PRAGË, 9 shtator /ATSH-DPA/- Gjermania dhe katër vende të tjera të BE-së do të fillojnë zbatimin e një takse minimale globale për kompanitë e mëdha pa mbështetjen e Hungarisë nëse do të jetë e nevojshme, njoftuan sot ministrat e Financave në Pragë.

“Një taksë minimale globale do të jepte një kontribut të rëndësishëm në adresimin e ndjenjës së drejtësisë së njerëzve,” tha ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, duke folur pranë ministrave të Financave të Francës, Spanjës, Italisë dhe Holandës.

“Korporatat ndërkombëtare duhet gjithashtu të japin kontributin e tyre në financimin e komunitetit”,  tha Lindner gjatë një takimi të ministrave të Financave të BE-së, duke shtuar se taksa do t’i lejonte Gjermanisë të vepronte pa rritur taksat e tjera.

“Njerëzit duan drejtësi dhe kanë të drejtë. Unë nuk dua të kem më asnjë evazion fiskal në Evropë”, tha më herët ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Taksa minimale synon të ndalojë korporatat e mëdha që të lëvizin fitimet në rajone me taksa më të ulëta dhe që bizneset shumëkombëshe të paguajnë më shumë taksa atje ku operojnë.

Mbi 130 vende, vitin e kaluar nënshkruan marrëveshjen e madhe tatimore të organizuar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

BE-ja, që atëherë është përpjekur ta kthejë atë në ligj, por nuk ka arritur të marrë mbështetje nga Hungaria, e vetmja nga 27 anëtarët e bllokut që bllokon një rrugë të përbashkët për të ecur përpara.

“Nëse nuk mund të arrihet konsensus mes të gjitha vendeve të BE-së, Gjermania do të ishte e gatshme të zbatonte taksën në vitin 2023”, tha Lindner.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like