Poloni/ Solidariteti me Ukrainën dhe frika nga Rusia

by admin
Spread the love

Një vit pas fillimit të luftës në Poloni mbizotërojnë refugjatët ukrainas dhe frika nga Rusia. Dikur polakët kanë pësuar rëndë nga ukrainasit, tani i ndihmojnë ata.

Shkurt 1943. Në rajonin e Volhynia, në atë kohë nën pushtimin gjerman, fillon një valë e madhe dhune kundër popullsisë polake. Deri në gusht të të njëjtit vit, deri në 120.000 polakë u vranë në një seri masakrash nga nacionalistët ukrainas. Pikërisht 80 vjet më vonë, Polonia është vendi që, pavarësisht historisë së saj të vështirë, po ndihmon miliona refugjatë ukrainas të luftës.

Beata dhe Karol Popko u kanë vënë në dispozicion refugjatëve një nga tre dhomat në apartamentin e tyre në Varshavë, ku jetojnë me vajzën e tyre dy vjeç e gjysmë. “Do të doja të dija se çfarë do të thoshte gjyshja ime nëse do të ishte ende gjallë”, thotë 32-vjeçari Karol. “Ajo i mbijetoi masakrës së Volhynia dhe e gjithë fëmijëria ime u shënua nga historitë e saj për mizoritë e ukrainasve të këqij.”

Pavarësisht këtyre kujtimeve, për Karol Popkon, mbështet refugjatët urkainas dhe plagët e vjetra mes dy kombeve janë të parëndësishme. Në 12 muajt e fundit, 12 refugjatë kanë jetuar me të dhe familjen e tij për ditë apo dhe javë të tëra, derisa gjetën strehim të veçantë ose u larguan nga Polonia. Karol shpesh i sillte të ftuarit me vete nga stacioni i trenit në Varshavë, ku ai doli vullnetar për të mbështetur ukrainasit që mbërritën atje. Ai gjithashtu udhëtoi për në Ukrainë me autokolona ndihmash.

Polonia bëhet një vend imigrimi

Specialisti i IT ka një nga portalet më të njohura të internetit për refugjatët ukrainas në Poloni. “Tekstet tona janë shkruar nga gra ukrainase që jetojnë në Poloni, të cilat e dinë saktësisht se çfarë kanë nevojë bashkatdhetarët e tyre. Ne duam të ndihmojmë njerëzit që papritmas duhet të fillojnë një jetë të re këtu,” shpjegon Popko. Në portalin Ukrainianinpoland.pl mund të mësoni, për shembull, si të merrni një patentë shoferi polak, si të gjeni më mirë një dentist ose çfarë ndihme mund të presin ukrainasit nga organizatat ndërkombëtare

Që në fillim refugjatët në Polonimund të mbështeteshin më shumë në iniciativat private dhe sociale sesa tek autoritetet. Ardhja e miliona njerëzve në një periudhë të shkurtër kohore ishte një sfidë e madhe për vendin, i cili nuk ishte i përgatitur për këtë valë. Brenda pak javësh dhe muajsh, Polonia, e cila më parë refuzoi të pranonte refugjatë në nivel të BE-së, u bë një vend imigrimi.

Shumica e refugjatëve duan të kthehen

Që nga data 24 shkurt 2022, miliona njerëz kanë hyrë në Poloni nga Ukraina. Shumica u kthyen ose u larguan nga Polonia për në vende të tjera. Por mbi 1.4 milionë janë regjistruar në Poloni. Duke iu caktuar një numër sigurimi polak (PESEL), ata marrin sigurimin shëndetësor shtetëror dhe të drejtën për të punuar. Shteti garanton gjithashtu 70 euro si bonus mirëseardhjeje dhe pagesë mujore për fëmijë prej 110 euro. Të rriturit pa fëmijë nuk marrin asnjë mbështetje, por Polonia është vendi me më së shumti refugjatë të luftës nga Ukraina.

Sipas sondazheve, tre të katërtat e tyre dëshirojnë të kthehen në shtëpi, prandaj më shumë preferojnë të qëndrojnë në Poloninë fqinje sesa në një vend tjetër më të largët. Për shumë njerëz nga Ukraina, gjuha është gjithashtu vendimtare. Polonishtja dhe ukrainishtja janë gjuhë aq të afërta mes vete sa që shumë shpejt mund të komunikoni pa probleme. Përveç kësaj, disa nga refugjatët qëndruan me të afërmit në Poloni dhe gjetën punë përmes rrjeteve të tyre.

Vala e solidaritetit

Edhe para luftës, në Poloni jetonin rreth një milion punëtorë emigrantë ukrainas. Shumë prej tyre u shpërngulën në vendin fqinj pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014. Pas 24 shkurtit 2022, shumë burra nga ky grup u kthyen në frontin e luftës në vendlindje. Rreth 2.2 milionë ukrainas jetojnë aktualisht në Poloni.

Niveli i solidaritetit pas fillimit të luftës ishte befasues, thotë Dominika Pszczolkowska, një shkencëtare politike në Qendrën për Kërkimin e Migracionit në Universitetin e Varshavës. “Në të gjitha krahasimet evropiane, polakët duken keq kur bëhet fjalë për angazhimin social. Ajo që ka rëndësi për ta janë kryesisht çështjet e biznesit dhe familjes,” thotë ajo për DW. Por në rastin e ndihmës së Ukrainës, polakët kanë treguar një aftësi të madhe për t’u organizuar shpejt dhe nga poshtë.

Ndjenjat anti-ukrainase

Por gatishmëria për të ndihmuar po zvogëlohet. Deri në fund të vitit 2022, 63 për qind e të anketuarve thanë se ata vetë ose dikush afër tyre mbështeti refugjatët nga burime private. Në janar 2023, nga ana tjetër, sipas institutit të kërkimit të opinionit të Varshavës CBOS, ishte vetëm 41 për qind.

“Ishte e pritshme që lodhja të fillonte,” komenton Pszczolkowska. Në Poloni, gjithashtu, çmimet janë rritur dhe njerëzit mund të përballojnë gjithnjë e më pak. “Dhe nëse, për shembull, dikush duhet të presë më shumë se zakonisht për mjekun, sepse edhe ukrainasit presin në radhë, atëherë ai lehtë mund të zemërohet ndaj tyre.”

Sipas Qendrës së Monitorimit të Racizmit dhe Ksenofobisë në Varshavë, numri i sulmeve verbale dhe fizike ndaj ukrainasve është rritur në mënyrë dramatike muajt e fundit. Gjatë demonstratës vjetore nacionaliste në festën kombëtare polake, 11 nëntor 2022, mund të lexoheshin dhe dëgjoheshin slogane anti-ukrainase, si “Ukrainasi nuk është vëllai im”,”Ndaloni ukrainizimin e Polonisë”, “Kjo luftë nuk është e jona”.

Frika në rritje nga Rusia

Jo vetëm fluksi i refugjatëve ka formësuar Poloninë në dymbëdhjetë muajt e fundit, por edhe frika në rritje nga Rusia. Sipas CBOS, 43 për qind e polakëve aktualisht e konsiderojnë të mundshëm një sulm rus ndaj këtij vendi. 78 për qind e shohin Rusinë si një kërcënim.

Edhe Karol Popko ka frikë. “Unë mendoj se Putini mund të sulmojë edhe Poloninë. Nëse ai tashmë ka mobilizuar qindra mijëra ushtarë, ai nuk mund t’i dërgojë në shtëpi tani, ai duhet të bëjë diçka me ta. Kështu që ai do të sulmojë diku dhe pastaj do të shohë se çfarë do të ndodhë”. Ndoshta në të ardhmen ai do të kërkojë strehim për familjen dhe kompaninë e tij jashtë vendit. Por për aq kohë sa të mundet, ai do të qëndrojë në Poloni. “Çdo ditë vijnë mijëra ukrainas në Poloni, që kanë nevojë për ndihmë.”/DW


Top Channel

You may also like