POLONI – Morawiecki ngarkohet për formimin e qeverisë së re, pavarësisht humbjes

by admin
Spread the love

VARSHAVE, 14 nëntor /ATSH-DPA/ – Pavarësisht humbjes në zgjedhjet parlamentare polake katër javë më parë, kryeministri aktual nacionalist i krahut të djathtë, Mateusz Morawiecki është ngarkuar zyrtarisht me formimin e një qeverie të re.

Partia Ligj dhe Drejtësi (PiS) e Morawieckit nuk ka shumicën në parlamentin e sapozgjedhur polak dhe është pothuajse e sigurt se do të dështojë në çdo përpjekje për të formuar një koalicion të ri.

Presidenti polak Andrzej Duda megjithatë e ngarkoi Morawieckin të formonte një qeveri gjatë seancës së parë të parlamentit të ri në Varshavë.

Duda, i cili është vetë një ish-anëtar i PiS, e justifikoi vendimin duke theksuar se ”PiS mbetet partia më e madhe në parlament, pavarësisht humbjeve në zgjedhje”.

Kritikët, megjithatë, e akuzuan atë për përpjekje cinike për t’i dhënë PiS disa javë të tjera në pushtet.

Morawiecki ka tani 14 ditë për të paraqitur propozimin e tij të qeverisë për një votim në parlament, ku ai do të përballet me humbje pothuajse të sigurt. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like