POLONI – Eksportet e tankeve “Leopard” në Ukrainë synojnë nxitjen e vendeve të tjera për të vepruar

by admin
Spread the love

VARSHAVË, 12 janar /ATSH-DPA/- Vendimi i Polonisë për të dërguar tanke luftarake “Leopard 2” të prodhimit gjerman, në Ukrainë synon nxitjen e vendeve të tjera për të vepruar, deklaroi sot një zëdhënës i qeverisë.

Zëdhënësi nuk përmendi specifikisht Gjermaninë, ndërkohë ka një presion në rritje ndaj Berlinit për të dërguar tanket e avancuara në Ukrainë.

Zëvendëskancelari gjerman, Robert Habeck tha sot se Berlini nuk do ta pengojë Poloninë të eksportojë tanket.

“Gjermania nuk duhet të pengojë vendet e tjera të marrin vendime për të mbështetur Ukrainën, pavarësisht se çfarë vendimi merr Gjermania”, tha Habeck në mbledhjen e komitetit ekzekutiv të grupit parlamentar të të Gjelbërve, në Berlin.

Gjermania ka prodhuar tanke të sofistikuara dhe për këtë arsye luan një rol kyç në debat. Si rregull, transferimi i armatimeve të prodhimit gjerman te palët e treta, fillimisht duhet të miratohet.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, pas takimit dje me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, tha se Varshava do t’i dërgonte Kievit tanket e shumëkërkuara si pjesë e një koalicioni me vendet aleate.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like