Policia nis hetimet për trafikim njerëzor të kampionit olimpik britanik Mo Farah (fotot)

by admin
Spread the love

Hetimet nisin pasi kampioni britanik i lindur në Somali tha se është trafikuar drejt Britanisë kur ishte fëmijë.

Policia e Londrës tha se ka hapur hetime pas deklaratave të kampionit britanik të vrapimit Mohamed Farah, që tha se kur ishte fëmijë është trafikuar ilegalisht drejt Britanisë.

39-vjeçari i lindur në Somali– dy herë fitues i medaljes së artë Olimpike në garën 10,000m për vendin ku është natyralizuar (Britani), në vitet 2012 e 2016– tregoi në një dokumentar në rrjetin shtetëror BBC se emri i tij i vërtetë është Hussein Abdi Kahin.

Ai rrëfeu se ishte i detyruar të punonte si shërbëtor shtëpiak prej moshës tetë apo nëntë vjeçe.

“Ne jemi në dijeni të raportimeve në media në lidhje me Sir Mo Farah,” thuhej në një deklaratë të policisë së kryeqytetit britanik, Metropolitan Police.

“Te ne nuk janë bërë denoncime specifike në këtë kohë. Por oficerë specialistë kanë hapur një hetim dhe aktualisht po vlerësojnë informacionet që kemi”.

Farah ishte ndihmuar për të marrë shtetësinë britanike nga ish-mësuesi i tij i fizkulturës Alan Watkinson, teksa përdorte emrin Mohamed Farah që i ishte dhënë atij nga gruaja që e ka trafikuar drejt Britanisë.

Farah ndërkohë është siguruar nga qeveria se nuk mund të humbasë qytetarinë britanike teksa zëdhënësi i kryeministrit të dorëhequr Boris Johnson e përshkruante si “hero i sportit”.

Pra në vend të ardhjes në Britani nga Somalia me nënën e dy vëllezërit siç ka pretenduar më herët, Farah ka ardhur nga Xhibuti me një grua që nuk e kishte parë ndonjëherë, e cila e kishte mbajtur për t’u kujdesur për fëmijët e një tjetër familjeje.

Dhe në fakt ai ka thënë se babai i është vrarë në trazirat civile në Somali kur Farah ishte katër vjeç dhe kur nëna e tij Aisha, jetonin në territorin separatist Somaliland.

Ai tha se është inkurajuar të flasë nga gruaja dhe fëmijët e tij, pasi kishte fshehur të vërtetën për dekada me radhë.

“Sinqerisht nuk dua të flas për këtë, unë nuk kam dashur të flas, e kisha kyçur brenda meje”, tha ai.