Policia kosovare gjynjëzon terrorin serb në veri – Shqip

by admin
Spread the love

Policia e Kosovës ka përfunduar një aksion luftarak ndaj atyre që e sulmuan atë në mesnatë, në Banjskës të Leposaviqit, duke vrarë policing Afrim Bunjaku e plagosur një tjetër.

Vrasësit, struktura kriminale serbe, u stacionuan me orë të tëra në manastirin e atyshëm, pajisuar me armë e automjete ushtarake, ndaj të cilëve Policia e Kosovës nisi një sulm në orët e pasdites, duke vrarë tre prej tyre e arrestuar disa të tjerë.

“Ne kemi gjashtë të arrestuar, dy prej tyre të plagosur me uniformë të armatosur dhe katër të tjerë, që ishin në mbështetje të operacionit me radiolidhje. Së paku, tre sulmues të vrarë për të cilët janë duke u kryer procedurat e identifikimit”, tha ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Në një dalje për mediat ai theksoi se kanë zbuluar armatime të rënda dhe përgatije për qindra sulmues, duke shtuar se mund të cenohej integriteti i Kosovës.

“Grupe të armatosura sulmuan patrullën tonë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Po ashtu kishim edhe një zyrtar të plagosur dhe një të lënduar. Shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të viktimës. Pas kësaj përgjigja e zyrtarëve të policisë ishte e menjëhershme dhe profesionale, ku për një kohë të shkurtër vendosën territorin nën kontroll.

Kishim edhe një tjetër zyrtar lehtë të lënduar, por të tjerët falë profesionalizmit ia dolën pa lëndime e pa viktima të tjera të kryejnë operacionin. Me këtë rast kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ata të plagosur, me uniformë ushtarake. Kemi të paktën tre sulmues të vrarë. Me këtë rast policia ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, uniforma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada dhe lirshëm mund të themi se ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”, sqaroi ai.

Për reagimin e ashpër të Policisë së Kosovës foli dhe kryeministri Kurti.

Sipas tij, bëhet fjalë për një strukturë mercenarë e cila është përhapur politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar.

“Kemi të plagosur dhe tre të vrarë prej tyre dhe gjithashtu të arrestuar. Procesi në vijim do të na japë të dhëna se kush saktësisht janë këta dhe kush janë urdhërdhënësit e kësaj përpjekje të dështuar për ta destabilizuar Republikën e Kosovës. Nga ato që kemi mësuar deri më tani që bëhet fjalë për një formacion terrorist e kriminal i cili ka planifikuar gjatë këtë që kanë kryer sot… Bëhet fjalë për një strukturë mercenare e cila është përkrahur, politikisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar”, tha Kurti, duke shtuar:

“Urojmë që ky të jetë i fundit në këtë rrugën e vështirë për ligj e për drejtësi”. /tesheshi.com/

 

 

You may also like