Policia franceze shpërndan me forcë protestën pro-Palestinës pas urdhrit të ndalimit (fotot)

by admin
Spread the love

Policia në qendër të Parisit ka përdorur dje gaz lotsjellës dhe pompa uji për të shpërndarë një miting në mbështetje të Palestinës, që vjen pas bombardimeve disa ditore të Izraelit në Gaza.

Ministri i brendshëm Gérald Darmanin tha se ata që shkelin urdhrin do të arrestohen “pasi janë në thyerje të rendit publik.”

Por megjthë urdhrin mijëra protestues u mblodhën në qytete si Paris, Lille, Bordeaux e të tjera dje.

Presidenti Emmanuel Macron i bëri apel njerëzve të mos nxisnin ‘ndarje të brendshme’.

Masa e papritur e ndalimit të protestave pro-Palestinës vjen pasi qeveritë evropiane thanë se konflikti aktual Izrael-Hamas “ka nxitur anti-semitizëm”.

Policia tha dhe se kishte bërë të paktën 10 arrestime në Paris dhe se kishte përdorur pompat e ujit për të shpërndarë rreth 3,000 demonstrues në qendër të Parisit të cilët brohorisnin “Izraeli vrasës” dhe “Palestina do të fitojë” teksa valëvisnin flamurë palestinezë.

Autoritetet thanë se dhjetë persona u arrestuan dhe në mitingun e Lille.

Grupet pro-palestineze thanë se masa e ndalimit kërcënon lirinë e shprehjes dhe u zotuan të vazhdojnë demonstratat në mbështetje të popullit palestinez.

Protestuesja Charlotte Vautier, tha për rrjetin Reuters: “Jetojmë në një vend me ligje civile ku kemi të drejtë të dalim në shesh e të protestojmë. Është e padrejtë të jepet ndalim për një palë ndërsa autorizim për tjetrën.”

Edhe policia gjermane në Berlin ka dhënë çuditërisht ndalim për protestat pro-Palestinës, duke cituar si arsye ‘rrezikun e anti-semitizmit dhe lavdërimin e dhunës’.

Policia gjermane tha se rreth 100 protestues ishin bindur ndaj urdhrave për t’u shpërndarë dje në sheshin Potsdamer Platz.

Franca ka një komunitet musliman prej më shumë se 4 milionë dhe gjithashtu një komunitet të madh me origjinë hebreje që arrin në 400 000 persona, shkruan rrjeti BBC.


Top Channel

You may also like