“Policë dhe hajdutë”, batuta e Alegrit u vë flakën… tifozërive

by admin
Spread the love

Deklarata e trajnerit të Juventusit ka përçarë tifozët në rrjetet sociale. Interistët, të prekur nga provokimi me “policë dhe hajdutë” e kanë konsideruar si një veprim të ulët që nuk i takon një trajneri me kaq shumë trofe. Nga ana tjetër juventinët e kanë shijuar pa masë, madje kanë harruar nismat “Alegri out” dhe e kanë konsideruar një nga më të mëdhenjtë:

“Së bashku me Bonipertin, ai është padyshim trajneri më i madh i Juventusit në 45 vitet e fundit”, shkruante një tifoz bardhezi. “Avokati do të ishte krenar për ty”, shkruante dikush tjetër, duke iu referuar Xhani Anjelit dhe batutave të tij të famshme.

REVOLTA ZIKALTËR

Batuta e Alegrit ishte një kundërpërgjigje ndaj asaj që kishte thënë afro 10 ditë më parë drejtori i Përgjithshëm i Interit, Xhuzepe Marota. “Ne jemi si lepuri që duan ta kapin të gjithë. Natyrshëm do ketë edhe polemika për shpejtësinë tonë…”, deklaroi Marota pas polemikave mbi VAR-in dhe aludimeve se Interi po favorizohej në kampionat. Mirëpo deklarata e trajnerit juventin pas fitores së pastër ndaj Sasuolos dy ditë më parë ka trazuar ndjeshëm dy tifozëritë.

“Meqë ka folur për hajdutët, duam t’i kujtojmë zotit Alegri se çfarë tha Osvaldo Banjoli pas Hellas Verona-Juventus në dhomat e zhveshjes… Ai iu drejtua karabinierëve që kishin trokitur në derë: “Nëse po kërkoni hajdutët, ata janë në dhomën tjetër të zhveshjes…!”, ishte përgjigja e një tifozi të Interit. Akoma më i ashpër ishte një tjetër ultras zikaltër: “Në këtë vend ku gjithçka funksionon mbrapsht, trajneri i një skuadre që është dënuar me heqjen e 10 pikëve dhe është skualifikuar nga kupat e Europës për operacione financiare false në transferimet e lojtarëve, i lejon vetes të flasë për policë dhe hajdutë…”.

REPLIKA E BARDHEZINJVE

“Mos bëni sikur nuk e dini çfarë po ndodh. Është faji juaj nëse është mbjellë kaq shumë mosbesim në Serinë A. Shikoni sa ju favorizojnë”, shkruante një tifoz i Juves. Por nuk mbaronte me kaq.

Ja disa prej komenteve më pikante:

* “Alegri është një bir k… Është thjesht një gjeni !!!”. “Ai është trajneri im”.

* “Si t’ua tregosh tifozëve të Interit që janë hajdutë, pa u thënë se janë hajdutë… Batuta e vitit”.

* “Njerëzit inteligjentë thonë të vërtetën me batuta ironike. Dhe nuk ka asgjë të pavërtetë në atë që tha Alegri…”. Interistët nuk dorëzohen…

* “Edhe Alegri e di se pasi i ka dhënë dorën një lojtari të Juventusit duhet të numërojë gishtat se mos i kanë vjedhur ndonjërin prej tyre… Qesharak…”.

* “Vetë flet dhe vetë qesh… Por pa merak, në fund do t’ia ngrijmë atë buzëqeshjen false”.

* “Mendoja që kishte pak më shumë stil dhe nuk ishte një bardhezi i rëndomtë. Shakaja e tij nuk kishte asgjë të bardhë, ishte e zezë si historia që kanë nga pas…”.

JETON STAMOLLA- PANORAMASPORT.AL

You may also like