Pjesa e mbetur e Bashës s’mund të kerkojë bashkim. Të krijojnë një parti të re – Lajme

by admin
Spread the love

Përmes një deriçke të ngushtë e të vogël, në cepin e majtë të selisë së Partisë Demokratike, hyjnë e dalin vazhdimisht zyrtarucë, deputetë apo kryetarë degësh. Nxitojnë sapo futen në oborr, ulin kokën që t’i zërë deriçka ose e godasin me shkelm atë si shenjë nervozizmi…

Në fakt ajo deriçkë e ngushtë dhe e vogël është metafora më e saktë e asaj që ka ndodhur me Partinë Demokratike pas 25 Prillit. Godina e stërmadhe, si han pa porta, dhe me një oborr të zhurmshëm është kthyer në një “kthinë” së cilës i ka mbetur vetëm logo si sharmi i një të shkuare të largët e të lavdishme.

Fillimi i fundit të kësaj partie, të atrofizuar në gjithë trupin e saj, ndodhi kur Departamenti i Shtetit Amerikan shpalli “non grata” Sali Berishën.

PD vetëm emrin kishte demokratike por në thelb të saj ishte autoritarizmi dhe besnikëria ndaj njëshit. Provat i kishte dhënë qysh në krye të herës dhe në vazhdimësi. Nga trupi i saj shkëputeshin vazhdimisht ambiciozë të zhgënjyer që përmendnin “fjalën e lirë”, “demokracinë e brendshme” apo kritikonin autoritaritetin absolut të Berishës. Por riktheheshin si manarë të bindur sapo afronin zgjedhjet. Ata i shërbnin Partisë për trukun e radhës, demokracinë, tolerancën, “fillimin e ri” dhe merrnin në këmbim poste minsitrore apo deputeti.  Ky dorëzim i vazhdueshëm i disa personaliteteve e rriti autoritetin e Berishës në Parti duke e kthyer në lider absolut të saj.

Ndryshimet kushtetuese të 2008-ës ishin edhe dorëzimi praktik i çdo zëri të pavarur. Kryetari i Partisë mori të drejtën nga Kushtetuta të emëronte të paktën 60 deputetë sipas dëshirave të tij ekskluzive. Aty demokracia vdiq.

Dhe jo vetëm në PD.

Ato ndryshime e bënë karrigen e Kryetarit të Partisë sa të një monarku partiak. Edhe më demokrati do të bëhej autoritar. Sa më i madh autoriteti ligjor i karriges aq më e vështirë bëhet rrëzimi nga ajo karrike dhe vetëbesimi te aftësitë çudibërëse të saj. Ajo kthehet në një lloj “llambe aladini” që shndërron vartësit në servilë e servilët në deputetë. Ndërsa kundërshtarët në të papunë “jashtë oborrit të Partisë”.

Pikërisht ato kompetenca e morën në qafë Bashën. “Bythët” e tij ishin mjaft të vogla për të mbushur karrigen e stërmadhe ku ishte ulur. Kauzat e dështuara, paqëndrueshmëria, gafat politike të vazhdueshme e kthyen Kryetarin “bythëvogël” të kolltukut të madh në një personazh memesh. Ai nuk dinte sesi të menaxhonte atë Karrige. Atij i pëlqenin metodat berishiste të drejtimit por nuk e kishte sharmin berishian të sulmit të emocioneve të publikut. Ai kujdesej që çdo përgjegjësi të një vendimi të madh ta ndante me të tjerë dhe sidomos me Berishën duke krijuar perceptimin e një dualizmi në drejtimin e Partisë. Ishte tmerrësisht i pasigurtë dhe i paqartë në finalen e vendimeve të veta. Dhe mbi gjithçka, Lulzim Basha i bënte llogaritë gabim. Jo vetëm gafat legjendare aritmetike. Ato janë më të falshmet.

Të gjitha vendimet e tij të mëdha politike janë një gabim i madh. Duke filluar nga braktisja e Reformës Territoriale, Çadra, dorëzimi i mandateve, bojkoti i zgjedhjeve lokale etj etj.

Në çdo vendim të tij lexohej paqartësia. E thënë me dashamirësi. Ishte padyshim njeriu i gabuar për një Parti që synon pushtetin. Hija e Berishës e mbuloi në çdo dekik të kryetarësisë së tij dhe ky ishte gabimi i parë dhe më i madh i tij. Ai nuk e kishte vendosmërinë të ndahej me Berishën megjithëse e donte me gjithë shpirt atë ndarje. Sepse ishte frikacak se çfarë do të ndodhte. E mori atë vendim shumë vonë, vetëm kur mendoi se aleati i tij i ri vlente më shumë se Berisha.

********

Ditën e 09 Shtatorit ai vendosi të krijojë Partinë e vet. Për herë të parë mori një vendim të denjë për karrgen e rëndë në të cilën ishte ulur. Si të gjithë frikacakët që nuk kanë marrë kurrë vendime vetë edhe Basha nxori përpara mburojën amerikane. E bëri Berishën hero atë ditë. Me shpresën se do e këpusë qafën dhe ta lërë atë të mbretërojë i lirë.

Por i bëri sërish llogaritë gabim.

Ai mendoi se Karrigia e rëndë e Kryetarit dhe ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mjaftonin. Shto këtu edhe ligjërimin proamerikan e modern, teknokratët e papërlyer që e rrethonin apo gazetarët e blerë. Ditë pas dite, retorika e mbështetësve të tij bëhej më  e ashpër, më tallëse ndaj Berishës dhe thellësisht proamerikane. Dalngadalë në media po krijoheshin kamikazët anti- Berishë që arsyetonin mirë dhe ishin debatues të vështirë e shpesh fitues nëpër studio televizive.

Po sulmonin zemrën e elektoratit të PD-së, Sali Berishën. Jo pa sukses.

Por kjo bëri efekt të kundërt në elektoratin e PD-së. Pika e fortë e tyre nuk është arsyetimi por emocioni. Ata që mendonin se me arsyetim do i mbushnin mendjen bazës së PD-së e kishin gabim. Ai elektorat është mësuar me patetiken, emocionin. Ai e do Sali Berishën si personin që i ka sjellë në pushtet për 13 nga këto 30 vjet. E do për karizmën e pashoq, retorikën zhurmuese e sharmin e lidershipit . Ai elektorat pa tek Berisha viktimën e një skuthi të pabesë. Ai pa te Lulzim Basha servilin e Yuri Kim, mbështetëses më të madhe të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Strategjia e Berishës për të sulmuar emocionet e bazës, përmes largimit të Amerikës në retorikën e tij si pjesë e konfliktit, pati efekt të jashtëzakonshëm. Epitetet “besëpreri”, “pengu” dhe sjellja si viktimë e një konspiracioni ndërkombëtar që përfshinte Xhorxh Sorosin, Edi Ramën dhe Yuri Kim ishin mjaft bindës për ta. Ata besonin thellësisht se Sali Berisha nuk është njeriu më i korruptuar që ka qeverisur këtë vend. Krahasimi me Edi Ramën dhe qeverisjen e tij e bënin Berishën të dukej kristal në sytë e tyre.

Sa më shumë Kim afrohej me Bashën dhe PD-në e vulës aq më shumë shtohej inati dhe armiqësia e një pjese të madhe të bazës së PD-së. Adaptimi i gjuhës së ashpër nga Basha dhe mbështetësit bënë të ndaheshin edhe të tjerë njerëz që deri atë ditë kishin qenë të dyzuar. Si mund të quash pjesë të “Trekëndëshit të Bermudës” njeriun që vetëm para një muaji e ke cilësuar botërisht “udhëheqësin shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë”? Çfarë është ky hipokrit që të bardhën e bën të zezë dhe e kundërta, pa iu dridhur qerpiku? A mundet të ndërtohej e ardhmja me të?

Një rol të madh në katastrofën elektorale të “kthinës” që akoma mban vulën e PD-së pati edhe bashkimi në llogoren e Bashës së gjithë enturazhit propagandistik të Ramës. Mero Baze, Baton Haxhiu, Carlo Bolino, Frrok Çupi e të tjerë pena proqeveritare u lëshuan në sulmin e fundit, atë vdekjeprurës ndaj Sali Berishës dhe në mbrojtje të Lulzim Bashës. Elektorati i PD-së ishte mësuar t’i kishte kundër këta. Ata ishin “mercenarët” e Ramës, ideologët e tij. Nëse këta e mbronin Bashën, retorika e pengut merrte argument. Padashje Berisha fitoi aleatë aty ku nuk e priste. Kur Yuri Kim bëri thirrje në mes të fushatës për “kujdes” se mos votoni “non gratën”, me shumë gjasë votat për Berishën ishin më të pakta. Ato u rritën ndjeshëm pas asaj deklarate.

******

Pas rezultatit katastrofik të PD-së dhe dorëheqjes së Lulzim Bashës, pjesa e mbetur e Partisë së kthinës ka vendosur të vërë kushte për bashkim. “Kushti i panegociushëm” i tyre është mosqënia e Sali Berishës kandidat për Kryetar i Partisë. Ia bëjnë këtë kërkesë të tjerëve, anëtarëve të Grupit të Rithemelimit. Kjo është një nonsens i madh. Tregon që nuk kanë mësuar asgjë nga 06 Marsi. Ato 60 mijë vota që mori Shtëpia e Lirisë janë të Sali Berishës. Ai e bëri fushatën personale dhe i mori ato vota. Nëse do të duhet t’i drejtoheni dikujt aty ky është vetë Sali Berisha.

Por edhe vetë ftesa për bashkim është nonsens. Partia e kthinës është proamerikane ndërsa grupimi i Komisionit të Rithemelimit është në kontradiktë të hapur me amerikanët. Atëherë si i ftoni të bashkoheni?!

Ajo që duhet të bëjë Partia e kthinës tani është të mbajë bërthamën amerikane, t’i mbetet besnike tezave të veta dhe të elaborojë ligjërimin e vet politik siç e kishte nisur. Duke themeluar një parti të re. Por nuk mund ta bëjë këtë në selinë e Partisë Demokratike dhe me vulën e saj. Ajo Parti dhe ajo seli tashmë u takon të tjerëve.

You may also like