Pishina e Irfanit, dosja e Metës dhe ruspat e një bande dallëndyshesh

by admin
Spread the love

Një çetë bashibozukësh, me në krye një dallëndyshe të rikthyer, i janë vërsulur sot resortit “Prestige” të Irfan Hysenbelliut, që është njëkohësisht edhe botuesi i Panorama, Balkanweb dhe News 24. Kjo mësymje e shtetit vjen pas ruspave që prishëm muret e këtij kompleksi disa ditë më parë, pas kontrolleve të shumta tatimore në të gjitha filjalet e këtij biznesmeni, pra në kuadrin e një sulmi fronal të shtetit.

Dua ta them që në fillim. Sa herë kaloja në rërën e bukur të plazhit të Golemit, gjithmonë më ka shqetësuar arroganca e ndërtimit të Irfanit, mënyra se si muret e larta i kishin vjedhur qytetarëve të drejtën për të vijuar rrugën përgjatë bregut dhe ndërtimi i stërmadh, natyrisht me lejen e qeverisë, i cili thyente një rregull që në zonën e Qeretit nuk mund të kishte ndërtime betoni mbi gjatësinë e brezit të pishave.

Lexo me tej:

Fadromat e Ramës në bizneset e Irfan Hysenbelliut (VIDEO)

Pra, për të gjitha këto, sot duhet të isha i lumtur që njerëzve po u rikthehej hapsira e munguar dhe se shteti ishte kujtuar për të mbrojtur publiken në dëm të një milioneri.

Por, fatkeqësisht nuk është aspak kështu. Madje mendoj se yryshi i tanishëm i qeverisë për të shkatërruar është shumë më i rrezikshëm se bashkëpunimi i saj i dikurshëm me biznesmenin, për të zaptuar.

Sepse në kohën kur shteti jepte leje për këto ndërtime, në kohën kur IKMT mbyllte sytë për privimin e qytetarëve për të ecur në bregun që i përket të gjithëve, Edi Rama drekonte me Irfan Hysenbelliun pikërisht në mjediset që po shkallmon sot. Në mediat e tij i jepej hapsirë pa fund, sa herë që ai donte, Taulant Ballës. Në ekranet ku ai qe pronar, ndërpritetj çdo emision dhe program, qoftë dhe kur Erion Veliaj dilte live për të lëshuar mufkën më të parëndësishme nga goja. Gazetat dhe TV-të e Irfanit ishin politikisht të pranueshme kur ato mbështesnin fushatën e Bashës, kundër “non-grata-s”, atë të rilindjes për të kapur FSHF-në dhe atëherë, ndërtimet që sot po shkallmohen si të paligjshme, lartësoheshin arrogante dhe të paprekshme buzë Adriatikut.

Ende sot mbetet mister se ç’thyerje ndodhi mes biznesmenit dhe Edi Ramës, kur mediat e të parit filluan të botojnë skandale për drejtuesit e tatimeve dhe të doganave dhe menjëherë çeta e bashibozukëve u vërsul kundër objekteve që i kishte lejuar dhe mbrojtur prej vitesh. Ditët e fundit ishte një sekret publik që fadromat do ia behnin për të prishur një nga pishinat e kompleksit “Presige”. Madje zëra brenda kupolës konfirmonin se ish drejtori i IKMT, u shkarkua ngaqë nuk e mori përsipër këtë aksion dhe aty u rikthye dallëndyshja e preferuar e Ramës, që është e aftë të mbajë gjithçka mbi trup.

Dhe pikërisht këtu, kjo histori që nuk ka të bëjë fare me Irfan Hysenbelliun, por me të gjithë ne dhe me shtetin arbitrar që kemi mbi kokë, ngjan si dy pika uji me atë që po zhvillohet kundër Ilir Metës. Deri dje, spiuni i sotëm I.M. ishte bashkëkryetari i koalicionit qeverisës, aksioneri i 1 milionë shuplakave që rrëzuan regjimin e Berishës, madje atij i ishte falur edhe video përgjimi i Dritan Priftit, pasi sipas Ramës, fajin nuk e paskësh pasur njeriu por sistemi.

Por, sapo u pozicionua kundër kryeministrit, ai u bë menjëherë, i lajthitur, qesharak, me fjalor të pa kontrolluar, pastruesh parash për lobim, shkelës i rëndë i kushtetutës. Porsa morën urdhrin nga kongrsi i PS-së: “gjithë Shqipëria e do Metën në burg”, dallëndyshet e SPAK filluan çështje kundër tij, ndërsa dallëndyshet pa autoritet të dosjeve, zbuluan papritmas nga një email anonim, pikërish ditën që Meta u rikthye në politikë, se ish presidenti kishte punuar për sigurimin e shtetit tre dekada më parë. Sikur mos mjaftonte ky inskenim qesharak, parlamenti ndermori menjëherë nisma ligjore pët ti ndaluar atij rikandidimin dhe drejtimin e forces së vet politike.

Dokumenti i sigurimit i fallcifikuar/ Çfarë pretendon Meta

Pra, mjafton hipokrizia e padurueshme e këtyre dy fabulave për të kuptuar se problemi ynë sot nuk është as tek zaptimet e Irfanit, as te e shkuara e Metës, as ata të cilëve u prishen shtëpitë tek 5 maji apo unaza e re, se gjoja kanë ndërtuar pa leje, në një qytet ku vija e verdhë po shtyhet pafund dhe ku copa nga parku i liqenit po kafshohen përdhunnshëm prej atyre të cilët mediat i kanë vënë në shërbim të qeverisë.

Halli ynë real është me një shtet personal që po fshtisizohet përditë. Me një administrtë që shkel sytë për zbatimin e ligjit, kur ti i vardisesh Edi Ramës dhe turr rruspat në emër të tij, kur dikush i del kundër. Me një tufë dallandyshesh, në IKMT, në SPAK, në çautoritetin e dosjeve, në tatime, që shtegtojnë kuturu sipas humoreve të çekuilibruara të autokratit që i jep urdhra. Pa zgjidhur punë me një regjim si ky, askush nuk do çlirohet dot, as nga garniturra për reth tij, që sa herë duhet na shitet si e bardhë dhe herën tjetër si e zezë.

©Lajme

 

You may also like