“Për arsye sigurie”, ndalohet hyrja në Kosovë e makinave me targa serbe

by admin
Spread the love
Pika kufitare në Merdare që lidh Kosovën dhe Serbinë. Foto ilustruese

Pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë hyrjen në territorin e shtetit të automjeteve me targa të Serbisë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se pas ngjarjes që ndodhi të mërkurën në vijën kufitare me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.

“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve institucioneve të rendit”, tha Kryeziu.

Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur zyrtarët policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Në Beograd, zyrtarët thanë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.

Krerët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim, të cilin e kanë cilësuar si “akt agresioni”, duke kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të dënojë Serbinë dhe zyrtarët policorë të lirohen menjëherë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

“Këta njerëz nuk kanë çfarë të kërkojnë në zonën Tresava-Batnjik pa miratimin e KFOR-it, sidomos me tyta të gjata”, tha Vuçiç në Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.

You may also like