Pengjet e vrarë nga Izraeli përdorën ushqimin për të shkruar “Ndihmë”

by admin
Spread the love

Sa më shumë detaje dalin në dritë, aq më e dhimbshme bëhet drama e tre të rinjve të marrë peng nga Hamasi të cilët si për ironinë më të madhe të fatit, nuk vdiqën nga duart e atyre që i kërcënonin jetën, por nga armët e njerëzve të cilët duhet t`i shpëtonin.

Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Talalka, 22 dhe Alon Shamriz, 26 u qëlluan e u vranë nga forcat izraelite në lagjen Shejaiya të qytetit të Gazës. Një zyrtar ushtarak izraelit, duke folur në kushte anonimati, rrëfeu se të rinjtë kishin dalë nga godina gjysmë të zhveshur e njëri prej tyre mbante në dorë një shkop, ku kishte lidhur një leckë të bardhë.

Por një nga ushtarët u ndje i kërcënuar kur ata u afruan në një distancë prej 10 metrash, thirri “terroristë” dhe hapi zjarr. Dy nga pengjet vdiqën në vend, ndërsa i treti i plagosur u kthye në godinë, e ndërroi jetë më vonë. Tani mësohet se ata ishin përpjekur të përdornin mbeturinat e ushqimit për shkruar fjalën “SOS” apo Ndihmë. Në një deklaratë të bërë mëngjesin e sotëm, shefi i shtabit të ushtrisë së shtetit hebre, Herzi Halevi, pranoi se kjo ngjarje e rëndë, shënon një moment dobësie, dhe u përpoq të tregonte se nuk është kjo mënyra sesi vepron IDF-ja.

“Shikon njerëz me duart lart, pa këmisha, nuk të kërcënojnë, janë të paarmatosur- merr dy sekonda që të mendosh para se të hidhesh në veprim. Edhe nëse do të ishin palestinezë që dilnin me flamur të bardhë për t`u dorëzuar, duhet t`i qëllonim? Absolutisht jo. Nuk vepron kështu IDF-ja. Kur ulin armët e ngrenë duart lart ne i kapim, nuk i qëllojmë. Sepse kjo është të tregosh fuqi, e jo dobësi”, u shpreh Herzi Halevi.

Episodi ngjalli zemërim e indinjatë në Izrael, ku po mbahen thuajse çdo ditë protesta në solidaritet me pengjet dhe familjet e tyre. Liderët politikë dhe ata ushtarakë të Izraelit kanë deklaruar shpesh se lirimi i të gjitha pengjeve është qëllimi kryesor i luftës, bashkë me shkatërrimin e Hamasit, dhe tani familjarët e të rrëmbyerve insistojnë që të rinegociohet me prioritet kthimi i tyre gjalle.


Top Channel

You may also like