Pendarovski i gatshëm për mandat të dytë, opozita shqiptare do të dalë me kandidat shqiptar për president

by admin
Spread the love

Presidenti Stevo Pendarovski është i gatshëm edhe për një mandat të dytë nëse, siç thotë, qytetarët dhe partitë në pushtet konsiderojnë se ka qenë i suksesshëm gjatë mandatit të parë. Në emisionin Click Plus, Pendarovski tha që së pari do t’i pyes qytetarët si e vlerësojnë punën e tij, e më pas do të vendosë nëse do të shkojë edhe për një mandat tjetër.

Më me rëndësi e kam që të gjithë qytetarët që jetojnë në Maqedoni, çfarë mendojnë për punën time të deritanishme si president. Kuptohet, do të flas me çdo subjekt politik. Do më vijë mirë që edhe këto subjekte politike që i përmendni më japin mbështetje, sepse kjo do të thotë se edhe sipas vlerësimeve të tyre unë mirë kam punuar në këto pesë vite”, tha Stevo Pendarovski, president.

Nga LSDM përmenden edhe emra të tjerë si kandidatë potencial – Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska e Mile Zeçeviq, por Pendarovski thotë se procesi i identifikimit të kandidatit potencial ende nuk ka filluar.

“Me të gjithë këta që i përmendët, edhe më herët edhe tani kam pasur bashkëpunim korrekt me vite, në pozita të ndryshme kur kemi qenë, para 2019 nuk kam qenë president. Shumë mirë njihemi, kam respekt të lartë për secilin prej tyre mirëpo nëse më pyetni mua, sipas informacioneve që kam, procesi i identifikimit të kandidatit potencial cili do të merte mbështetje nga LSDM dhe koalicioni, ende nuk ka filluar”, theksoi Stevo Pendarovski, president.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski para pak javësh në Click Plus gjithashtu tha se partia e tyre po analizon rreth 22 kandidatë potencialë.

“Po punojmë, po anketojmë. Më tepër se 20-22 emra janë në lojë do të shohim”, pohoi Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sa i përket opozitës shqiptare, ata do të dalin me një kandidat të përbashkët shqiptar mirëpo ende nuk kanë vendosur nëse do të jetë person brenda strukturave apo një intelektual i pavarur.

Ne si opozitë shqiptare, pra do të dalim me lista të përbashkëta, partitë shqiptare dhe poashtu kemi vendim që do të dalim me kandidat për president shqiptar, cili do të jetë, do të shohim. Po bëjmë analiza nëse do të jetë brenda strukturave, apo duhet të jetë ekspert i fushës, d.m.th. intelektual i pavarur”, tha Izet Mexhiti – kryetar i LD-së .

Kandidaturën e tij për president nuk e përjashtoi as kryetari i komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.

“Më duhet ta them se po mendoj. Mund të menaxhoj me çdo problem. Jo vetëm lokal por edhe me problemet që janë me karakter shtetëror në pjesën e politikave të brendshme”, tha Stevço Jakimovski – kryetar i Karposhit.

Kandidaturë për president dje paralajmëroi edhe mjeku infektolog Vello Markovski.

Përndryshe, opozita maqedonase po kërkon që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen së bashku me ato presidenciale, ndërsa në korniza të ligjit, të njëjtat bashkërisht mund të mbahen vetëm nga datat 5 deri më 8 maj. Para kësaj date, zgjedhjet parlamentare do të llogariteshin si të parakohshme.

You may also like