Peci nga Berlini: Keqardhje që s’mund t’jem afër qytetarëve të prekur nga vërshimet

by admin
Spread the love

Ministri i Bujqësisë Faton Peci po qëndron në vizitë zyrtare në Berlin, me ç’rast ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur t’i vizitojë komunat e prekura nga vërshimet e ditëve të fundit.

“Të dashur qytetarë, më lejoni që të shpreh keqardhjen time që për shkak të vizitës zyrtare në Berlin, nuk jam afër qytetarëve në Komunën e Mitrovicës, Skënderajt, Klinës, Istogut e çdo zone të prekur nga vërshimet e orëve të fundit”, ka shkruar ai në Facebook.

“Pavarësisht kësaj, Kryeministri dhe kolegët e mi Ministra, bënë një punë të palodhshme në teren, duke qëndruar pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës si dhe duke aktivizuar të gjithë mekanizmat qeveritar dhe të institucioneve vartëse, me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës”.

Peci ka thënë që ndien lehtësim që situata po shkon drejt normalizimit, ku përmendi po ashtu mekanizmin koordinues ndërinstitucional për reagim të shpejtë dhe menaxhim të situatave dhe rasteve të tilla.

“Ndihem i lehtësuar me gjendjen momentale pasi po shkojmë drejt normalizimit të situatës dhe bashkëndiej me qytetarët e prekur të Republikës së Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga shtatori i kaluar ka themeluar mekanizmin koordinues ndër-institucional për reagim të shpejtë e menaxhim të situatave dhe rasteve të tilla, mekanizëm puna e së cilit është për tu përshëndetur”.

You may also like