PD pesë pyetje për inceneratorët, Këlliçi: SPAK e policia ndëshkojnë të mjerët e Shqipërisë

by admin
Spread the love

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat u shpreh se inceneratori i Tiranës është një rast flagrant.

Ai gjithashtu u shpreh se kryeministri Edi Rama, SPAK dhe policia ndëshkojnë të mjerët e Shqipërisë, ndërsa Zoto, Mërtiri dhe Gugallja shpërblehen me 80 mijë euro në ditë.

Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike:

:E. Ç. një 42 vjeçar nga Kukësi, u arrestua në shtator 2015 pasi transportonte disa viça për të cilët nuk kishte faturë tatimore.

Berberi T. H., nga Tirana, po në shtator 2015, u arrestua se nuk lëshonte kupon tatimor pasi qethte apo rruante klientët.

Në disa qindra raste qytetarët shqiptarë janë arrestuar apo ndëshkuar për ‘mustaqet e Çelos’, pra për shkelje minimale.

Po i vodhe shtetit të Rilindjes 10 lekë për një qethje, të hedhin prangat, po përfitove qindra miliona euro nuk të gjen gjë, dhe drejtësia vepron ‘kur të qethen viçat’.

Ky është standardi i Edi Ramës së inceneratorëve dhe drejtësisë së reformuar, e cila me polici kap gjithë të mjerët e Shqipërisë, kurse me SPAK nuk kap asgjë.

Nëse doni një shembull, arrogant e flagrant bashkë, keni inceneratorin e Tiranës.

Edhe pse kompania Integrated “Technology Services” ka ‘qethur e rruar’ qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, nuk i ka hyrë gjemb në këmbë. Madje Zoto-Mërtiri-Gugallja shpërblehen për këtë vjedhje me 80 mijë euro në ditë.

Ne jemi të habitur me këtë standard dhe duam të bëjmë 5 pyetje të thjeshta dhe sqaruese:

1. Kur burgoset berberi se qethi pa TVSh, po ‘berberët’ që rruajnë miliona dhe sekserët që lëvizin paratë e Edi Ramës, pse nuk preken?

2. Kush po i mbron dhe kush i jep garanci Zotos – Gugalles – Mërtirit?

3. Kush vijon t’u çojë milionat në arrati?

4. Pse kështu, kur dihet që inceneratori, për të cilën janë dhënë paratë, nuk ekziston?

5. A mund të ketë arsye tjetër përveç faktit se ndajnë paratë bashkë?

Ky është standardi dhe rekordi në padrejtësi i qeverisë Rama.

Drejtësia duhet të bënte detyrën, duke u dëshmuar shqiptarëve se korrupsioni ndëshkohet, si kur e bën berberi i lagjes, ashtu edhe shpura e kryeministrit.”-shprehet Këlliçi.

You may also like