Pasioni për Napolin tradhton mafiozin e rrezikshëm italian, kapet në Korfuz pas 11 vitesh arrati

by admin
Spread the love

Një nga 100 të arratisurit më të rrezikshëm të Italisë është kapur pas 11 vitesh në ishullin e Korfuzit, dhe ajo çka e ka tradhtuar është dëshira e tij për të festuar një ndeshje të Napolit në një restorant grek.

Vincenzo La Porta ishte në arrati prej 11 vitesh, por aventura helene e tij mori fund pasi u fotografua në Korfuz duke festuar në një ballkon pasi skuadra e tij e zemrës fitoi kampionatin e Serisë A.

Policia në Itali kishte monitoruar aktivitetin e La Porta prej muajsh, duke pritur që ai të bënte një lëvizje të rreme që do t’u jepte atyre informacione për vendndodhjen e tij.

Hetuesit e kanë pikasur mafiozin italian mes fansave dhe u nisën drejt ishullit grek për ta vënë në pranga 60-vjeçarin.

Oficerët e ndaluan atë teksa ishte duke ecur në një nga rrugët e ishullit me një skuter, pranë restorantit ku ka punuar si kuzhinier.

“Ai u tradhtua nga pasioni i tij për futbollin dhe për ekipin e Napolit. Me fitoren e kampionatit, La Porta nuk mund t’i rezistonte festimeve“, tha policia italiane në një deklaratë.

I lidhur ngushtë me organizatën mafioze “Gomorrah” me bazë në Napoli, La Porta është dënuar në mungesë për shoqërim me kriminelë, evazion fiskal dhe mashtrim.

Mafiozi italian besohet se nga Korfuzi bënte biznes për mafian në vendlindje, duke mbajtur rolin e “kontabilistit”, pra të personit që kishte marrë përsipër të pastronte paratë përmes skemave të paligjshme të korporatave.

Duke u paraqitur para një prokurori të shtunën, ai u urdhërua të mbahej në burg derisa një trup gjykues i Apelit të vendosë për një kërkesë ekstradimi nga Italia.

Autoritetet italiane duan që ai të kthehet në mënyrë që të vuajë dënimin me 14 vite burg, por avokati i tij tha se ai ka krijuar një familje të re në Greqi dhe nuk dëshiron të ekstradohet.

You may also like