Pasi qëndroi në burg për një natë, Ademi lajmërohet: Do të punojë për ngritjen e futbollit

by admin
Spread the love

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi është liruar me procedurë të rregullt nga burgu dhe tashmë është rikthyer në vendin e tij të punës në Federatën e Futbollit të Kosovës. Ademi ka shkruar një rrjetin e tij social Facebook se është sqaruar dhe se tani do të vazhdojë të punojë për ngritjen e futbollit të Kosovës.

Pas sulmit të djeshëm ndaj zyrtarit të FFK-së, Artan Govori, Ademi përfundoi në polici, me që rast u dërgua edhe në mbajtje.

Për sulmin dhe arrestimin e tij “Insporti” raportoi ekskluzivisht.

Pas lirimit, sot, Ademi përmes një postimi në “Facebook” është “sqaruar” me opinionin.

Postimi i plotë:

Sqarim për opinion

Dje për shkak të një debati verbal që pata me një koleg të FFK-së, i cili debat kishte qëllim krejt të mirë për të sqaruar një situatë nga marrëdhënia e punës në FFK, përfundoi pa shkas në Polici dhe ju dha hov nga disa media dhe grupe të interesit, duke e shfrytëzuar situatën zgjedhore që kemi në FFK, me ç’rast unë përfundova për disa orë në Polici.

Pas deklaratave të të gjitha palëve të përfshira, u sqarua se e tëra ishte vetëm një keqkuptim, kështu që unë u lirova nga ndalimi dhe gjendem në mesin e familjarëve dhe kolegëve të FFK-së.

Ju falënderoj edhe njëherë të gjithë juve bashkëpunëtorëve të mi dhe komunitetin e futbollit për interesimin dhe mbështetjen, njëherit ju garantoj se do të punoj së bashku me ju për ngritjen e futbollit dhe avancimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ju siguroj se së bashkë me stafin e FFK-së do të vazhdojmë punën e madhe që na pret në organizimin e një procesi zgjedhor ligjor dhe të rregullt për datën 06 prill 2022, si dhe në organizimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës, kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës këtë muaj.

Faleminderit për mirëkuptim!

Me respekt,
A.A“.

You may also like