Pas dy javësh takime në Bruksel, Kosovës i kërkohet të ofrojë model për Asociacionin (VIDEO)

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) presin që pas dy javësh, bisedimet Kosovë-Serbi të vazhdojnë në nivel kryenegociatorësh.

Këtë pritje e shprehu emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë një telekonference të mërkurën nga e cila tha se aty do vazhdojnë bisedimet rreth krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

“Pritja jonë është që brenda dyjavorit që vjen, shefat e ekipeve negociuese do takohen për të diskutuar këtë proces sërish”, tha Escobar, njofton Shqip.

Gjatë takimit të nivelit të lartë mes dy shteteve të mbajtur në Bruksel, më 2 maj u paraqit për herë të parë draftstatuti i AKS-së, nga Ekipi Menaxhues, i cili më 3 maj u lirua nga kjo detyrë nga qeveria kosovare.

Marko Prelec, ekspert për Ballkanin pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG), thotë se draftstatuti i paraqitur ka pika të vështira me të cilat s’mund të pajtohet Kosova, porse dokumenti në fjalë sipas tij është një pikë e mirë për nisje të bisedimeve për krijimin e Asociacionit.

“Nuk mund të parashikojë nëse do ketë ujdi mbi këtë apo jo. Por fakti se kjo çështje qëndron aty tash e dhjetë vjet pa asnjë përparim, është shqetësues. Kjo tregon se Beogradi e Prishtina janë ende shumë larg, në kuptimin e tyre, se si do dukej  një formë e duhur e vetëqeverisjes për komunitetin serb”, shtoi Prelec.

Ai, thotë se Kosova përfundimisht duhet të zhvillojë zgjidhjen e saj për këtë çështje. Para disa muajsh i dërguari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, i dha kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, 15 modele evropiane që kanë disa shtete të Bashkimit Evropian, për pakicat e tyre.

“Ka një ndjenjë në Kosovë se t’i japësh autonomi një grupi monoritar është shumë e rrezikshme për shtetin, se do ta bëjë atë të dobët e disfunksional, njerëzit shpesh përmendin Bosnjën në këtë kontekst. Por Evropa është përplot me shtete që po lulëzojnë e janë efektive e të cilat kanë autonomi shumë më të madhe sesa që po i kërkohet Kosovës të i jap komunitetit serb të saj”, përfundoi analisti në ICG.

Më 19 prill 2023 janë bërë 10 vjet që kur Kosova e Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e raporteve. Dokumenti në fjalë ka 15 pika, gjashtë prej të cilave i kushtohen AKS-së.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

 

 

 

 

 

You may also like