Partizani nis mbarë aventurën europiane, Cara nderon “të kuqtë” në Gjeorgji

by admin
Spread the love

Partizani nis në mënyrën më të mirë aventurën e tij në Conference League, pasi ka mposhtur në Gjeorgji vendasit e Saburtalo me rezultatin 1-0. Ka qenë një gol i Tedi Carës në fillimin e pjesës së dytë, ai që i ka dhënë një fitore të çmuar skuadrës së Mehmetit, duke afruar kështu kualifikimin në turin e dytë të turneut.

Sfida e “të kuqve” në stadiumin “Tengiz Burjanadze” të Gorit është transmetuar Live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo në komentin e Alban Xhihanit dhe Blendi Shkëmbit.

Pjesa e parë ka qenë e ekuilibruar. Të dyja skuadrat janë munduar të rrezikojnë, por pa shqetësuar portierët respektivë. Gjeorgjianët provojnë me disa goditje nga distanca, ndërsa Skuka në minutën e 35-të ka rastin më të mirë për Partizanin.

Mbyllet pa gola fraksioni i parë i lojës, ndërsa i dyti nis me vonesë, sepse ka probleme me ndriçimin në stadium. Loja nis me 15 minuta vonesë dhe kjo duket se favorizon Partizanin, që zhbllokon sfidën sapo nis loja me anë të Tedi Carës.

Saburtalo mundohet që të kthejë ndeshjen në baraspeshë, por djemtë e Mehmetit mbrohen mirë dhe administrojnë avantazhin. Partizani humbet një rast të artë për të dyfishuar rezultatin, por Cvetanoski nuk gjuan saktë nga një pozicion shumë i favorshëm.

Mbyllet 1-0 për Partizanin transferta gjeorgjiane dhe pas këtij rezultati, “të kuqtë” hedhin një hap të madh drejt kualifikimit në turin e dytë të Conference League.

Theksojmë se edhe ndeshja e kthimit në “Air Albania” në 14 korrik do të transmetohet live dhe ekskluzivisht në Oversport dhe Tibo.

You may also like