PARIS – Macron: Në Evropë do të kthehet nacionalizmi dhe lufta nëse Le Pen zgjidhet presidente

by admin
Spread the love

PARIS, 13 prill /ATSH-AA/ Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot se në Evropë mund të kthehet nacionalizmi dhe lufta, nëse ekstremistja e krahut të djathtë Marine Le Pen zgjidhet presidente.

Gjatë një takimi në Strasburg, Macron theksoi se lufta e tij nuk ishte vetëm për Francën por edhe për Evropën.

“Projekti i të djathtës ekstreme është dalja nga Bashkimi Evropian. Nëse Le Pen zgjidhet presidente në Evropë do të kthehet nacionalizmi dhe lufta”, tha Macron.

“Kjo është ëndrra e Rusisë dhe e të tjerëve. Disa vende duan të na bindin se zgjidhja për Francën është dalja nga BE-ja sepse dëshirojnë të luftojnë me evropianët e tjerë”, tha presidenti francez.

Macron vuri në dukje se vetëm me Evropën mund të punohet për paqen dhe se Evropa i mbron ata nga krizat dhe lufta.

Në një reagim ndaj deklaratës së Le Pen e cila tha se nëse zgjidhet presidente Franca nuk do të jetë palë e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Macron theksoi rëndësinë e GJEDNJ-së dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Macron dhe Le Pen do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen më 24 prill. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like