Pal Lekaj sërish sot në gjykatë – Shqip

by admin
Spread the love

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj sot sërish do të paraqitet në gjykatë, por këtë herë për të paraqitur dëshminë e tij në rastin ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten në ora 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Konjufca po akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.

Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.

Me këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.

Për këtë, Konjufca po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” parashikuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

You may also like