Opozita shqiptare nënshkroi Deklaratën e Koalicionit, Kasami, Gashi dhe Mexhiti porosi nga Tetova

by admin
Spread the love

Opozita shqiptare e bashkuar në emrin “Lidhja Evropiane për Ndryshim” sonte në Tetovë nënshkruan Deklaratën zyrtare të koalicionimit.

Në këtë ceremoni festive me rastin edhe të festës kombëtare të 28 Nëntorit ishin tubuar edhe mijëra aktivistë të partive të koalicionit Alternativa, Lëvizja BESA dhe Lëvizja Demokratike.

Krerët e këtyre partive përcollën edhe mesazhet e bashkëpunimit, por edhe kritikat e porositë në adresë të pushtetit aktual. Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, që i dhanë mbështetje zyrtarisht këtij koalicioni.

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami pas nënshkrimit të deklaratës së koalicionit “Lidhja Europiane për Ndryshim”, tha se ndihet shumë i lumtur që kjo marrëveshje nënshkruhet pikërisht sonte, në ditën më të madhe të shqiptarisë.

Sipas tij, pjesa më e madhe e botës jeton në demokraci të plotë, në vendin tonë demokracia rrënohet çdo ditë nga krimi dhe korrupsioni që ka kapluar vendin në çdo sferë.

“Ndihem shumë i lumtur që koalicioni shqiptar që do të sjellë ndryshimet për anëtarësimin e Maqedonisë së BE, po e nënshkruajmë sot më 28 nëntor, ditën historike më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Sot kur pjesa më e madhe e botës jeton në demokraci të plotë, në vendin tonë demokracia rrënohet çdo ditë, ndërsa lulëzon krimi, korrupsioni dhe varfërimi i qytetarëve”, tha Kasami.

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi theksoi se ndryshimi duhet të vjen dhe se shqiptarët mezi po e presin ate. Ai shtoi se pushteti aktual në Maqedoni për rreth 20 vite e ka refrenin plot me intregrim, ndërsa, siç thotë ai, strofat i ka të mbushura me korrupsion.

“Nëse ata besojnë se integrimi evropian bëhet edhe duke e amnistuar Nikolla Gruevskin dhe kriminelët e listave të zeza, ne kemi dallime të patejkalueshme. Në atë mënyrë ata mund të integrohen në ndonjë union tjetër, por jo në unionin që e synojmë në, në Bruksel. Përveç anëtarësimit në BE, në këtë deklaratë e kemi theksuar qartazi se po aq i rëndësishëm është edhe thellimi i partneritetit tonë me SHBA-në, si aleati ynë më i madh, si mbështetësi ynë në të gjitha proceset dhe si miku më i sinqertë i shqiptarëve në kapërcyell të shekujve që nga koha e presidentit Uillson, që e hapi rrugën e vetëvendosjes së kombeve, kur shqiptarët vatranë këndonin ‘i ke djemtë në Amerikë’ e deri te presidenti Klinton, që i doli zot shpëtimit të kombit tonë”, theksoi mes tjerash Afrim Gashi.

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti theksoi se qeverisja aktuale çdo ditë e më tepër po bën koncensione në dëm të qytetarëve, por edhe interesave shqiptare. Sipas tij, sot më 28 Nëntor, ka dhënë dy koncesione të reja përmes Lotarisë së Maqedonisë. Ai shtoi se qeveritarëve shqiptarë iu pengon aktivizimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Maqedoni, ndërsa nuk iu pengon vizita e ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov.

“Iu pengon shumë ardhja dhe aktivizimi i Vetëvendosjes së Albin Kurtit, por nuk iu pengon që pas luftës së Ukrainës, Evropën ta shkelë nëpërmjet Maqedonisë zoti Sergej Lavrov dhe nikoqir i tij të jenë Bujari dhe qeveritarët tanë. Poashtu nuk kam se si i iki, që edhe këtët ditë dinjitoze për shqiptarët, këtë ditë të shenjtë ta shënojnë me Lotarinë e Maqedonisë, ku dy koncesione, pikërisht sot i janë dhënë nëntokës serbe nga Lotaria e Përparimit dhe Qeveria e Artanit”, deklaroi Izet Mexhiti.(INA)

MARKETING



You may also like