Opozita kundër formimit të grupit punues për themelimin e Byrosë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë

by admin
Spread the love

Opozita e ka kundërshtuar pjesëmarrjen për krijimin e grupit punues, në kuadër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, për projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se ata nuk do të marrin pjesë në këtë grup punues, shkak pasi thonë se raporti i Komisionit të Venecias për këtë gjë nuk ka qenë pozitiv sa i përket votimit të këtij projektligji.

“Ne si PDK duke i parë rekomandimet e Komisionit të Venecias mendojmë se ky projektligj është në kundërshtim me Kushtetutën përveç qëllimit, nuk do të marrim pjesë në grupin punues. Kërkojmë të krijohet një konsensus me subjektet ta rikthejmë, ta bëjmë një ligj të zbatueshëm”,ka thënë Beqa.

Ndërsa, Driton Selmanaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka theksuar se as subjekti të cilin e përfaqëson nuk dëshiron të jetë pjesë e këtij grupi punues për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Sipas leximit tim Komisioni i Venecias nuk e aprovon këtë projektligj. Kam bindjen time se me formën se si e ka propozuar qeveria këtë projektligj është i papërmirësueshëm, duhet pos ta rishkruajnë nga fillimi”,ka thënë Selmanaj.

Po ashtu edhe nga AAK janë kundër, Besnik Tahiri e bëri të ditur këtë në mbledhjen e sotme.

“Kërkoj që ky ligj të ridraftohet dhe të rishkruhet në mënyrë që të vjen në seancë për votim”,ka thënë Tahiri, njofton KlanKosova.tv.

You may also like