Opozita ende e papërgatitur ta çojë në Kushtetuese çështjen e shtrenjtimit të rrymës (VIDEO)

by admin
Spread the love

As një muaj që nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, partitë opozitare nuk e kanë bërë gati ankesën për ta kundërshtuar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e kishin paralajmëruar që të tri subjektet, menjëherë pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, por tani  edhe përgjigjet i kanë të ndryshme nga njëra-tjetra.

Grupi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është mbledhur të martën për ta diskutuar këtë çështje. Por Besnik Tahiri propozon që ankimimin ta bëjë bashkë e gjithë opozita, pasi beson se vendimi i ZRRE-së është diskriminues për qytetarët.

“Këtë duhet ta bëjmë bashkërisht me partitë opozitare, të trija i kanë qëndrimet e veta publike, duhet t’i bëjmë në një file që të shkojë në Gjykatë Kushtetuese”, u shpreh Tahiri, njofton Klan Kosova.

Lidhja Demokratike nuk e di nëse do t’i bashkohet opozitës apo do të ankohet vetë në organin më të lartë kushtetues.

“Tani për momentin, do t’i ndjekim rrugët ligjore, por nuk kemi ende konkretisht asgjë, që a do ta bëjmë bashkë me gjithë opozitën apo veç si LDK, është duke u përgatitur raporti”, deklaroi Bunjaku.

Ndërsa Partia Demokratike ka zgjedhur rrugë tjetër. Ferat Shala nga Partia Demokratike konfirmoi në telefon se, fillimisht, si subjekt i vetëm, gjatë kësaj jave do t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë për çështje administrative.

Të enjten e kaluar u miratua propozimi i qeverisë që masat emergjente për krizën energjetike të vazhdohen edhe për një muaj. Kjo ia lejon shtetit reduktimin e furnizimit me rrymë, nëse paraqitet nevoja.

You may also like