Operacioni tokësor në Gaza, faza e dytë e luftës me Hamasin – Shqip

by admin
Spread the love

“Kjo është lufta e dytë e pavarësisë së Izraelit”

Ushtria izraelite ka hyrë në Gaza dhe po lufton kundër Hamasit. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një konferencë për shtyp, tha se operacioni nga toka në Gaza është haza e dytë e luftës me Hamasin, duke shtuar se objektivat janë shumë të qarta.

Netanyahu konfirmoi praninë e ushtrisë izraelite në atë që ai e quan “kështjella e së keqes”, duke iu referuar Gazës.

“Ushtarët dhe komandantët izraelitë janë tani në Rripin e Gazës, janë dislokuar kudo”, tha Kryeministri i Izraelit.

Netanyahu ju përgjigj edhe një deklarate të Presidentit turk Erdogan, që sot e akuzoi Izraelin për krime lufte.

“Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund të akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë”, tha ai.

Kryeministri konfirmoi se Ushtria e Izraelit po merr masa paraprake për të mbrojtur civilët në Gaza, ndërsa akuzon Hamasin për krime kundër njerëzimit “duke përdorur qytetarët e tyre si mburojë njerëzore”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që drejtohet nga Hamasi, deklaroi se mbi 7600 persona janë vrarë në Gaza që nga dita kur Izraeli filloi sulmin.

Lufta nisi më 7 Tetor, kur Hamasi sulmoi i pari Izraeli duke vrarë 1400 qytetarë izraelitë civilë, përpara se ushtria izraelite të niste ofensivën.

Këtë luftë, Kryeministri Netanyahu e konsideron si “lufta e dytë e pavarësisë së Izraelit”.

/tvklan.al

You may also like