“Old Firm” mbyllet me poker, Celtic shkatërron Rangers në klasiken skoceze

by admin
Spread the love

Është mbyllur me rezultatin e thellë 4-0 klasikja mes Celtic dhe Rangers e transmetuar ekskluzive në platformën “Oversport”. Celtic ka arritur ta mbylli bindshëm këtë duel duke treguar forcën që në minutat e para të takimit dhe duke dalë me pikë të plota nga “Old Firm”.

Ndeshja nis mirë për të zotët e shtëpisë që pas 8 minutash lojë gjejnë edhe rrugën e rrjetës duke prishur ekuilibrat e takimit. Është izraeltit Liel Abada që mposht portierin McLaughlin dhe shënon golin e parë të takimit.

Pak minuta më vonë është Jota ai që dyfishon shifrat për Celtic. Ndërkohë që pritej të mbyllet pjesa e parë, është sërish Abada që shënon edhe golin e tretë të takimit duke i çuar ekipet në dhomat e zhveshjes në shifrat 3-0.

Në pjesën e dytë, Celtic plotëson dhe pokerin duke mbyllur sfidën me rezultatin 4-0. Goli i katërt vjen nga Turnbull në minutën e 74-të, gol i cili vulosi dhe rezultatin final të takimit. Pas kësaj fitoreje, Celtic mbetet i pamposhtur në Premiershipin skocez me 18 pikë në 6 takime, duke mbajtur vendin e parë, ndërsa Rangers qëndron në vendin e dytë në kuotën e 13 pikëve. /oversport.tv

Foto: celticfc.com

You may also like