OKB: Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës hap “një kapitull të ri e të rrezikshëm në historinë botërore”

by admin
Spread the love

“Shumica e viktimave në Ukrainë kanë qenë për shkak të artilerisë së rëndë, sistemeve të raketave shumëgrykëshe dhe sulmeve ajrore në zonat e populluara, me raporte shqetësuese për municione thërrmuese që godasin objektivat civile”, theksoi Michele Bachelet.

Gjatë fjalës hapëse të takimit urgjent të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) mbi “situatën e të drejtave të njeriut në Ukrainë si pasojë e agresionit rus”, Bachelet tha se më shumë se 2 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i luftës më 24 shkurt (2022).

“Deri të martën në mbrëmje, zyra ime kishte regjistruar dhe konfirmuar 752 viktima civile duke përfshirë 227 të vrarë, mes tyre edhe 15 fëmijë”, tha shefja e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Ajo shtoi gjithashtu se të paktën 525 njerëz ishin plagosur, përfshi këtu edhe 28 fëmijë.

“Më duhet të theksoj se shifrat reale do të jenë shumë më të larta, sepse shumë viktima të tjera janë në pritje të konfirmimit”, saktësoi Bachelet.

Ish-presidentja kiliane paralajmëroi se operacionet ushtarake janë duke u përshkallëzuar dhe tërhoqi vëmendjen sidomos mbi sulmet në dhe pranë qyteteve të mëdha, të tilla si Çernigovi, Harkovi, Hersoni, Lisiçansku, Severodonjecku, Sumi, Mariupoli, Zhitomiri dhe Kievi (kryeqytet).

“Volnovaha, qytet në provincën e Donjeckut, pothuajse është shkatërruar nga bombardimet dhe banorët e tij të mbetur janë fshehur në bodrume”, vijoi Bachelet.

“Janë shkaktuar dëme masive në ndërtesat e banimit. Përdorimi i armëve me efekte të shkallës së gjerë në zonat urbane me popullsi të dendur është qenësisht i rrëmujshëm dhe unë bëj thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të një force të tillë”, shtoi ajo.

Sipas Bachelet, një numër i konsiderueshëm i objekteve civile – përfshi këtu një spital, shkolla dhe kopshte për fëmijë – kanë pësuar gjithashtu dëme të konsiderueshme.

“Infrastruktura thelbësore është dëmtuar rëndë duke ndërprerë furnizimet dhe shërbimet kritike si energjia elektrike, uji dhe qasja në kujdesin shëndetësor”, potencoi shefja e OHCHR-së.

Bachelet tha se trupat ruse pranë Hersonit pretendohet të kenë qëlluar të shtunën (26 shkurt 2022) mbi një ambulancë që transportonte persona të plagosur rëndë, duke vrarë shoferin dhe plagosur një ndihmësmjek.

“Mbi 2 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Një milion, sipas vlerësimeve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), janë të zhvendosur brenda vendit. Në 7 ditët e fundit, 1 milion e 40 mijë refugjatë të tjerë kanë kërkuar strehim të sigurt në vendet fqinje, shpesh pasi udhëtuan për ditë të tëra me biçikletë ose në këmbë, në kushte acari”, vijoi Bachelet.

Sipas saj, UNHCR-ja ka vlerësuar se deri në 4 milionë njerëz mund të largohen nga vendi në javët e ardhshme nëse konflikti vazhdon.

Bachelet përgëzoi mikpritjen e shteteve fqinje për ukrainasit që largohen nga luftimet në vendin e tyre, duke thënë se një trajtim i tillë duhet të shtrihet për të gjithë ata që ikin nga konflikti, pavarësisht shtetësisë, përkatësisë etnike, emigrimit ose ndonjë statusi tjetër.

Megjithatë – potencoi ajo – ka pasur indikacione shqetësuese të diskriminimit ndaj shtetasve afrikanë dhe aziatikë gjatë arratisjes dhe Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut do ta vëzhgojë këtë situatë.

“Dhjetëra-miliona njerëz mbeten në vend, në rrezik potencial vdekjeprurës. Jam thellësisht e shqetësuar se përshkallëzimi aktual i operacioneve ushtarake do të rrisë më tej dëmin, me të cilin ata përballen. Mijëra njerëz, duke përfshirë të moshuar, gra shtatzëna, fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara, po detyrohen të mblidhen në strehimoret nëntokësore dhe stacionet e metrosë për t’i shpëtuar shpërthimeve”, tha Bachelet.

Ajo nënvizoi se shumë njerëz të pambrojtur janë ndarë nga familjet e tyre duke mbetur efektivisht të bllokuar.

“Stafi im në Ukrainë është kontaktuar nga disa grupe që kanë frikë nga persekutimi, nëse trupat ruse përparojnë, duke përfshirë anëtarë të komunitetit tartar të Krimesë në Ukrainën kontinentale, si dhe aktivistë të shquar të të drejtave të njeriut e gazetarë”, u shpreh Bachelet mes të tjerash.

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miraton kërkesën e Ukrainës për takim urgjent | TRT  Shqip

You may also like