OKB – Këshilli i Sigurimit dështon në miratimin e një rezolute për armëpushimin në Gaza

by admin
Spread the love

NJU JORK, 9 dhjetor /ATSH-DPA/ – Një projektrezolutë që mbështeste një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën e Gazës dështoi të miratohej dje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ndërsa 13 nga 15 anëtarët votuan pro, SHBA vendosi veton ndaj draftit të paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Britania e Madhe abstenoi.

Propozime të ngjashme kanë dështuar më parë për shkak të kundërshtimit nga SHBA.

Uashingtoni e ka mbështetur gjithmonë Izraelin dhe ka deklaruar se rezoluta të tilla mund të rrezikojnë përpjekjet e vazhdueshme diplomatike në terren.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i kishte kërkuar më parë Këshillit të Sigurimit të mbështeste një armëpushim humanitar.

Në një letër drejtuar Këshillit, ai iu referua nenit 99 të Kartës së OKB-së, i cili lejon sekretarin e përgjithshëm të sjellë në vëmendjen e Këshillit të Sigurimit “çdo çështje që sipas mendimit të tij mund të kërcënojë ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare”.

Sipas OKB-së, neni nuk është aplikuar për dekada.

Lufta në Gaza u shkaktua nga masakra më e keqe në historinë e Izraelit, e kryer nga terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste më 7 tetor në Izrael, pranë kufirit me Rripin e Gazës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like