OBSH: Rastet me sëmundje respiratore në Kinë në nivel më të ulët se para pandemisë

by admin
Spread the love

Rritja e rasteve me sëmundje të frymëmarrjes në Kinë, aktualisht nuk është më e lartë se para pandemisë së COVID-19, tha një zyrtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duke përsëritur se nuk janë gjetur patogjenë të rinj ose të pazakonshëm në rastet e fundit.

Maria Van Kerkhove, ushtruesja e detyrës së drejtorit të departamentit për parandalimin e epidemisë dhe pandemisë në OBSH, tha se rritja e rasteve duket se është nxitur nga rritja e numrit të fëmijëve që kontraktojnë patogjenë, pasi për dy vjet kufizime të vendosura për pandeminë, i ka mbajtur ata larg nga patogjenët.

“Ne kemi kërkuar krahasimet para pandemisë. Dhe valët që po përjetojnë ata tani, kulmi i tyre nuk është aq i lartë krahasuar me atë që u shënua më 2018-2019”, tha Van Kerkhove.

“Ky nuk është tregues i një patogjeni të ri. Kjo është e pritshme. Kjo është ajo me të cilën janë përballur shumica e shteteve një apo dy vjet më parë”, shtoi ajo.

Zëdhënësi i Komisionit shtetëror të Shëndetësisë në Kinë, Mi Feng, tha më 26 nëntor se rritja e rasteve të sëmundjeve akute të frymëmarrjes ishte e lidhur me qarkullimin e disa llojeve të patogjenëve, kryesisht të gripit sezonal.

Rritja e rasteve të sëmundjeve të frymëmarrjes u bë çështje globale javën e kaluar kur OBSH-ja i kërkoi Kinës më shumë informacione, duke cituar një rast mbi grupet e pneumonisë së padignosituar te fëmijët nga Programi për Monitroimin e Sëmundjeve Emergjente.

Kina dhe OBSH-ja janë përballur me kërkesa për transparencë lidhur me raportimin në fillim të pandemisë, që u shfaq në qytetin kinez Vuhan në fund të vitit 2019. OBSH-ja tha javën e kaluar se nuk ka gjetur asnjë patogjen të ri apo të pazakonshëm në rastet e fundit të sëmundjeve respiratore./Rel


Top Channel

You may also like