OBSH ngre alarmin: Sëmundjet e patrajtuara mund të vrasin më shumë sesa bombardimet në Gaza

by admin
Spread the love

Sëmundjet e patrajtuara plotësisht mund të vrasin më shumë njerëz sesa bombardimet në Gaza nëse sistemi shëndetësor nuk rivendoset, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Diarreja dhe infeksionet e frymëmarrjes janë të përhapura në mesin e fëmijëve në objektet e mbipopulluara të OKB-së, ku janë strehuar pothuajse 1.1 milion njerëz. Pacientët me sëmundje kronike si kanceri gjithashtu nuk po marrin asnjë trajtim. Paralajmërimi vjen pasi armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e pestë, falë një zgjatje prej 48 orësh.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara parashikonte lirimin e 20 grave dhe fëmijëve izraelitë të mbajtur peng në Gaza, në këmbim të 60 grave dhe adoleshentëve palestinezë në burgjet izraelite.

Të hënën, 11 pengje dhe 33 të burgosur u liruan në ditën e katërt dhe të fundit të marrëveshjes fillestare, duke e çuar totalin në 50 pengje dhe 150 të burgosur të liruar. Nëntëmbëdhjetë shtetas të huaj, njëri prej të cilëve ka nënshtetësi izraelite, janë dorëzuar gjithashtu nga Hamasi sipas marrëveshjeve të veçanta.

Izraeli nisi një fushatë ushtarake në Gaza dhe vendosi një rrethim në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar nga persona të armatosur të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë të paktën 1200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng. Qeveria e drejtuar nga Hamasi i Gazës thotë se më shumë se 14,800 njerëz janë vrarë në territor që nga fillimi i luftës.

OKB vlerëson se më shumë se 1.8 milionë njerëz në Gaza janë larguar nga shtëpitë e tyre gjatë shtatë javëve të fundit. Rreth 60% e tyre janë strehuar në 156 objekte që i përkasin agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Zëdhënësja e OBSH-së, Dr Margaret Harris gjatë një konference shtypi në Gjenevë tha se një vlerësim i atyre strehimoreve kishte vënë re shpërthime të sëmundjeve infektive, me raste të diarresë tek fëmijët e moshës pesë vjeç e lart mbi 100 herë nivelet normale deri në fillim të nëntorit.

Nuk ka asnjë trajtim për ta, tha ajo, pa të cilin në veçanti foshnjat mund të përkeqësohen dhe të vdesin shumë shpejt. Sipas OKB-së, vetëm pesë spitale janë pjesërisht funksionale në veri të Gazës, zonë që ka qenë fokusi i ofensivës tokësore izraelite.

“Përfundimisht, ne do të shohim më shumë njerëz që vdesin nga sëmundja sesa po shohim nga bombardimet nëse nuk jemi në gjendje të rivendosim [së bashku] këtë sistem shëndetësor,” paralajmëroi Dr Harris.

Duke iu drejtuar gazetarëve përmes lidhjes video nga Gaza, zëdhënësi i Unicef-it, James Elder, raportoi se kishte parë spitale plot me fëmijë me plagë të tmerrshme lufte. Elder tha se kishte parë një fëmijë që i mungonte një pjesë e këmbës, të shtrirë i patrajtuar në dyshemenë e spitalit për disa orë për shkak të mungesës së stafit mjekësor. Ndërsa, fëmijë të tjerë të plagosur ishin shtrirë në parkingje dhe kopshte jashtë.


Top Channel

You may also like