Nxitja e urrejtjes me djegien e Kuranit sjell protesta të dhunshme në Suedi (fotot)

by admin
Spread the love

Dhjetë persona janë arrestuar dje pas një proteste të dhunshme prej një tjetër episodi të djegies së librit të shenjtë musliman Kuranit, në Suedi.

Trazirat shpërthyen kur refugjati iraken anti-Islam, Salwan Momika dogji dje një kopje të librit të shenjtë në qytetin jugor të Malmo.

Disa automjete u dogjën teksa qindra persona ishin mbledhur për të protestuar gjestin provokues te irakenit, që e ka bërë edhe më parë.

Pasditen e djeshme Momika dogji kopjen e librit të shenjtë në sheshin kryesor Varnhemstorget, teksa e ka bërë këtë edhe më parë dhe nuk dihet cili është motivimi i akteve të tij të urrejtjes.

Një grup protestuesish u përpoqën të ndalnin djegien dhe kjo solli përplasje të dhunshme mes tyre dhe policisë që u goditën me gurë dhe objekte të tjera nga protestuesit.

Disa makina policie u dogjën më pas në Rosengard të Malmo, ku banon një komuniteti i gjerë emigrantësh.

Një zëdhënëse e policisë vendore tha: “E kuptoj se ngjarje si këto mund të trazojnë emocionet, por nuk do të tolerojmë dhunën si ajo e të dielës pasdite”.

Çuditërisht në vendet skandinave ka pasur një seri djegiesh publike të Kuranit sivjet.

Në qershor Momika e bëri gjestin e percmuar para një xhamie në Stockholm, në ditën e Kurban Bajramit.

Policia suedeze tha se gjesti lejohet “prej ligjeve të lirisë së shprehjes”.

Në janar një politikan i djathtë danez Rasmus Paludan, dogji Kuranin jashtë ambasadës turke në Stockholm.