Nuk jam pishman, kam bërë më të mirën që kam ditur e është dashtë – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Kosova është në avantazh pas 26 tetorit dhe takimit në margjinat e samitit të Këshillit Evropian, ku tha se aty realisht nuk ka pasur negociata, por takime bilaterale pa takim trelateral ku ai është ftuar nga krerët e BE-së dhe se beson që gjëja më e përshtatshme të thuhet është përgjigjja pozitive dhe se beson që përmbyllja e asaj ditë e ka nxjerrë Kosovën më mirë se sa para se të shkonin, pra ishte avantazh.

Duke folur lidhur me draft statutin e pranuar në Bruksel, ai para deputetëve në Kuvendin e Kosovës vlerësoi se ka bërë më të mirën që ka ditur dhe që është dashur

Tutje shtoi se pa i luftuar strukturat kriminale terroriste në veri, nuk do të mund ta shohim as vullnetin e qartë te serbëve të Kosovës.

Kurti tutje para deputetëve në Kuvendin e Kosovës sqaroi se pse ai insiston në nënshkrim të draft statutit.

“Sepse me datën 9 shtator 2022 kur kanë ardhur 3 emisarët nga Evropa dhe e kanë sjellë draftin e parë të marrëveshjes bazike, ne krye të herës kanë qenë “contracting parties”, pra palët kontraktuese dhe aty ka qenë e qartë që në fund marrëveshja nënkupton nënshkrim”.

“Unë insistoj se ashtu është thënë në fillim. Kjo nuk është qasja ime, ka qenë qasja e ndërmjetësve. Prandaj nëse nënshkrimi është marrëveshje, e ne duam marrëveshje, le ta bëjmë nënshkrimin”.

Tutje kryeministri shtoi se arsyeja pse ai konsideron që kjo do të kishte qenë gabim, ta zënë në muajin maj ose qershor, është se në njërën anë ndërmjetësi e ka pranuar draft statutin e ndërmjetëses së Serbisë, i cili është edhe më keq se Republika Serbe.

“Atë draft statut e kanë pranuar ndërmjetësit. Nëse ne si Kosovë do të shkruanim një draft statut, atëherë për mu ka qenë shumë e qartë se ndërmjetësi ka tendencën ta gjejë mesataren dhe ajo mesatare do të ishte shumë e keqe për ne”.

“Atëherë Kosova, qeveria e posaçërisht unë do të vendoseshim në një kënd me komplet insistimin ndërkombëtar për një mesatare midis asaj që shkruajmë ne dhe asaj që tashmë e kishte shkruar Daniela Vujiçiq paradoksalisht në emër të Serbëve të Kosovës, ndërkohë që ishte deputete në Kuvendin e Serbisë. Unë nuk e kam dashur atë mesatare”.

“Ka qenë kurth për mua, jam i bindur për këtë gjë, edhe më shumë sot se sa në pranverë e verë, që po të kisha shkruar unë një draft statut, do të vinin me një mesatare aritmetikore midis Danijela Vujiçiqit dhe meje si kryeministër i Kosovës dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme”.

“Unë kam insistuar në parime, në principe. Dhe tash emisarët kanë ardhur me një draft statut i cili njëmend i respekton këto principe, mirëpo unë prapë kam vërejtjet dhe kritikat e mia”, deklaroi Kurti.

Tutje ai shtoi se kurrë nuk e ka pranuar draft-statutin dhe se kurrë nuk do ta kishte nënshkruar draft-statutin, por se kur iu tha nga krerët evropianë se situata është urgjente dhe shansi është unik, ai tha se “prisni pak se marrëveshjen bazike, aneksin e zbatimit unë tashmë i kam pranuar. Nëse dëshironi një paketë, le ta bëjmë, dhe unë e pranoj si pjesë të pakos, ndonëse i kam dhënë vërejte, por vetëm si paketë, e jo të nxirret nga paketa”.

Sa i përket vetmenaxhimit të komunitetit serb, kryeministri shtoi se praktikisht është neni 7 ai që na shpëton nga neni 10 dhe se përveç se në nenin 10 thuhet që marrëveshjet e mëhershme që janë ligjërisht të detyrueshme dhe valide, neni 7 na shpëton se vetmenaxhimi. Do të thotë që nuk është vetadministrim, do të thotë që nuk është vetëqeverisje, qe nuk është vetëvendosje, është termi me i butë i mundshëm dhe shumë mirë që është ashtu.

“Unë kam thënë që marrëveshja bazike që unë e kam pranuar dhe pala tjetër ka refuzuar ta nënshkruajë, është njohje de-facto. Unë nuk kam thënë që nuk është de-jure, unë veç kam thënë që është njohje de-facto dhe besoj që është njohje de-facto”.

“Unë kam ofruar nënshkrimin e paketës. Po të më thoshin pranoje vetëm draft statutin, do të thosha jo. Por nuk më thanë! Ata nuk kërkuan prej meje që unë ta pranoj vetëm draft statutin. Unë draft statutin nuk do të mund ta pranoja. Po si pjesë e paketës kur të thonë krerët evropianë me mbështetje të ShBA-së se është urgjencë”.

Në fund ai vlerësoi se nuk do të ishte në këtë gjendje po të mos ishin disa dokumente të mëhershme.

“Por me këto mjete që kam, me këtë trashëgimi që më është lënë, për besë nuk jam pishman sepse kam bërë më të mirën që kam ditur e është dashtë”, përfundoi kryeministri Albin Kurti.

You may also like