Nuk është e mirë për Francën – Shqip

by admin
Spread the love

Parizienët janë të tronditur pas sulmit me thikë ku mbeti i vdekur një person dhe u plagosën dy të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi pranë Kullës Eifel, pak para orës 21:00 të shtunën.

Një shtetas francez 26-vjeçar është arrestuar ndërsa autoritet kanë ngritur edhe një hetim për të zbardhur ngjarjen. Ministri i Brendshëm Gérald Darmanin thotë se viktima ishte me partneren e tij kur u sulmua dhe u godit me thikë për vdekje. Për gazetarët ai zbuloi detaje të reja mbi autorin i cili mësohet se ka vuajtur në të kaluarën nga probleme psikologjike.

“Ajo që dimë për autorin është se është  shtetas francez, i lindur në vitin 1997. Ai është i njohur për drejtësinë pasi është dënuar me katër vjet burg për një tjetër rast. Autori kishte thënë gjithashtu se ishte i mërzitur për atë që po ndodhte në Gaza dhe se Franca ishte bashkëpunëtore në atë që po bënte Izraeli.”

Dy personat e plagosur janë një francez rreth të 60-atve dhe një turist i huaj të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vetë qytetarët kanë reaguar të shokuar pas krimit.

 “Ne shohim shumë turistë, sidomos të shtunave në mbrëmje. Ata bëjnë foto dhe janë të lumtur që vijnë e shohin Kullën Eifel dhe gjithçka tjetër nga Parisi. Patjetër që është mjaft tronditëse. Edhe për Francën, nuk është një imazh i mirë. Sidomos pasi viktima është gjerman, pra kjo është Europa. Është e trishtueshme”.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimës dhe falënderoi edhe autoritetet franceze për arrestimin e shpejtë të autorit.

Klan News

You may also like