Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi po vështirësohet nga Beogradi – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se qeveria e tij është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por procesi po vështirësohet nga veprimet e Beogradit zyrtar.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në hapje të Forumit të Bledit në Slloveni.

“Dua t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë një gjë të tillë nëse për shembull fqinji im do të ishte Republika Çeke, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodhë, sepse ne duhet ta zbatojmë marrëveshjen bazë për të cilën unë dhe presidenti serb jemi pajtuar në Bruksel, por normalizim në psikologji do të thotë mungesë e ngatërrimit të realitetit me fantazinë e ky është një aspekt tjetër në të cilin unë nuk mund të ndihmoj”, tha kryeministri Kurti, duke iu referuar deklaratës së kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç e cila tha gjatë fjalimit të saj se Serbia dhe Kosova janë një shtet.

Zonja Bërnabiç theksoi se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatim të marrëveshjes së vitit 2013 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte në përputhje me marrëveshjen e parë për normalizim marrëdhëniesh ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gati 11 vjet më pas ka ndodhur gjithçka përveç themelimit të këtij Asociacioni”, tha ajo, duke theksuar se themelim i tij do të hapte rrugën që Serbia të ndërmarrë hapa pozitiv drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se Kosova tashmë ka dëshmuar përkushtimin e saj për shtensionimin e plotë të gjendjes në zonën e banuar me shumicë serbe, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Situata në veriun e Kosovës u tensionua nga fundi i muajit maj kur kryetarët e zgjedhur të katër komunave me shumicë serbe u përcollën me forca të policisë për në ndërtesat komunale, mes kundërshtimesh të ashpra të banorëve lokalë.

Që atëherë diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve në veri përmes një plani të Bashkimit Evropian që parasheh pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë Serbi, Miroslav Lajcak, njoftoi se do të zhvillojë takime dypalësh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ndërmjet sesioneve të Forumit të Bledit, ndërsa tha se do të takojë edhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në kuadër të përpjekjeve për shtensionimin e plotë të situatës në veri të Kosovës.

“Ndërsa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e posaçme që ka mbetur lart në agjendë është situata në veri të Kosovës”, shkroi zoti Lajçak në një postim në rrjetet sociale duke theksuar se para këtyre takimeve është bashkërenduar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parakusht që u është vënë të dyja vendeve për përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropain, Charles Michel tha sot në forumin e Bledit se viti 2030 do të duhej të ishte afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate për anëtarësim të jenë të gatshme për zgjerim, ndërsa theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe.

“Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni udhëtimin e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi zoti Michel./VOA

You may also like