NJU JORK – SHBA vendos veton ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpushim në Gaza

by admin
Spread the love

NJU JORK, 20 shkurt /ATSH-DPA/ – Një projekt-rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës dështoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pasi SHBA vendosën veton ndaj tekstit të paraqitur nga anëtari i Këshillit Algjeria.

Duke pasur parasysh shqetësimet për një ofensivë të mundshme izraelite në qytetin jugor të Gazës, Rafah, propozimi u mbështet gjerësisht nga anëtarët e tjerë të këshillit: 13 nga 15 anëtarët e këshillit votuan në favor të projekt-ligjit, ndërsa Britania abstenoi.

Ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield kishte deklaruar paraprakisht se, në rast votimi, Shtetet e Bashkuara do të ushtrojnë sërish të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Pesë anëtarët e përhershëm të organit më të fuqishëm të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia, Franca dhe Britania kanë fuqinë për ta bërë këtë.

Shtetet e Bashkuara thanë se ‘’donin të pengonin votimin në mënyrë që të mos rrezikonin negociatat e rëndësishme midis Izraelit dhe organizatës ekstremiste palestineze Hamas, e cila sulmoi Izraelin më 7 tetor’’.

“Ne besojmë se rezoluta në tryezë tani, në fakt, do të kishte një ndikim negativ në këto negociata,” tha Thomas-Greenfield para votimit.

Vëzhguesit thanë, megjithatë, se Uashingtoni nuk dëshiron të shihet si lehtësues i taktikave të luftës të Izraelit, të cilat janë vënë gjithnjë e më shumë nën kritikat ndërkombëtare.   /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like