NJU JORK – OKB: Zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez

by admin
Spread the love

NJU JORK, 21 janar /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres përsëriti thirrjen e tij për një zgjidhje me dy shtete pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kundërshtoi përsëri nocionin e një shteti sovran palestinez.

“E drejta e popullit palestinez për të ndërtuar shtetin e tij duhet të njihet nga të gjithë”, tha dje Guterres në Kampala gjatë një takimi të shteteve të paangazhuara, që mbetën neutrale gjatë Luftës së Ftohtë.

“Refuzimi për të pranuar zgjidhjen me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët dhe refuzimi i të drejtës për shtetësi për popullin palestinez, janë të papranueshme”, shtoi ai.

“Mospranimi i një zgjidhjeje me dy shtete po zgjat një konflikt që është bërë një kërcënim global për paqen dhe sigurinë, duke kontribuar në polarizimin dhe forcimin e ekstremizmit kudo”, tha Guterres.

Ai bëri thirrje sërish për një armëpushim të menjëhershëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Netanyahu vazhdon të refuzojë nocionin e një shteti të pavarur palestinez pasi të përfundojë konflikti i Gazës.

“Unë nuk do të bëj kompromis për kontrollin e plotë të sigurisë izraelite mbi të gjithë zonën në perëndim të Jordanisë, dhe kjo bie ndesh me shtetin palestinez”, tha dje Netanyahu duke përsëritur qëndrimin e tij se çdo zgjidhje në të ardhmen e parashikueshme duhet të përfshijë kontrollin ushtarak të Izraelit mbi gjithë Bregu Perëndimor.

SHBA-ja, një aleate e rëndësishme e Izraelit, gjithashtu kanë nxitur për një zgjidhje me dy shtete. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like