NJU-JORK – OKB voton sot rezolutën e armëpushimit në Gazë

by admin
Spread the love

NJU-JORK, 22 mars /ATSH-DPA/- Pas disa muajsh mosmarrëveshje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të votojë sot për një rezolutë që kërkon armëpushimin e menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gazë, sipas diplomatëve.

Konsultimet mbi projektrezolutën e paraqitur nga SHBA-ja u caktuan sot në orën 09:00.

Nëse rezoluta miratohet, do të ishte hera e parë, që nga fillimi i operacionit ushtarak izraelit kundër organizatës islamike palestineze Hamas në fillim të tetorit, që organi më i fuqishëm i OKB-së shprehet në favor të një armëpushimi të qëndrueshëm në Rripin e Gazës.

Që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor, Uashingtoni, aleati më i ngushtë i Izraelit, ka kundërshtuar termin “armëpushim” dhe ka vënë veton për tre rezoluta përkatëse në Këshillin e Sigurimit, organi më i fuqishëm i OKB-së.

Megjithatë, duke pasur parasysh numrin në rritje të viktimave civile dhe kërcënimin e urisë në Rripin e Gazës, SHBA-ja tani po rrit presionin ndaj Izraelit.

Sipas diplomatëve në Nju-Jork, ishte e paqartë nëse rezoluta do të miratohej.

Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, kohët e fundit ka kritikuar dokumentin pjesërisht pasi, sipas Moskës, ai nuk bën thirrje për një armëpushim mjaft qartë.

Projektrezoluta thekson nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm, për të mbrojtur popullsinë civile dhe për të mundësuar ofrimin e ndihmës humanitare dhe për të lehtësuar vuajtjet njerëzore.

“Këshilli i Sigurimit mbështet plotësisht përpjekjet e vazhdueshme ndërkombëtare për të siguruar armëpushimin dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura”, thuhet ne dokument.

Për t’u miratuar, një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kërkon të paktën nëntë nga 15 votat dhe nuk duhet të ketë veto nga një prej pesë fuqive të përhershme.

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit janë të detyrueshme sipas ligjit ndërkombëtar. Nëse një shtet i prekur i injoron ato, organi mund të vendosë sanksione.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like