NJU JORK – OKB: Talebanët vazhdojnë të zbatojnë kufizime mbi të drejtat e grave

by admin
Spread the love

NJU JORK, 22 janar /ATSH-DPA/ – Kombet e Bashkuara thanë sot në një raport të ri se autoritetet talebane vazhdojnë të zbatojnë kufizime mbi të drejtat e grave për punë, arsim dhe lirinë e lëvizjes.

Raporti mbi situatën e të drejtave të njeriut në Afganistan, thekson se Ministria de facto e Përhapjes së Virtytit dhe Parandalimit të Veseve është veçanërisht e përfshirë në imponimin e këtyre politikave.

Ndër të tjera, raporti jep shembuj të rasteve kur punonjësit e ministrisë në provincën Kandahar vendosën që gratë të mos udhëtonin në distanca të gjata pa ‘mahrame’, një kujdestar mashkull nga familja, ose një shembull tjetër në provincën Paktya ku gratë pa mahrame pengohen të hyjnë në objektet shëndetësore.

Duke iu përgjigjur raportit të OKB-së, në një deklaratë, zëdhënësi kryesor i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid akuzoi misionin se nuk ishte në dijeni të vendimit islamik.

“Duke i quajtur këto vendime një akt kundër të drejtave të njeriut ju po fyeni besimet e njerëzve”, tha Mujahid.

Që nga kthimi në pushtet në gusht 2021, talebanët kanë zbatuar një sërë rregullash diskriminuese ndaj grave dhe vajzave në Afganistan, si privimi i grave dhe vajzave nga arsimimi përtej klasës së gjashtë.

Këto rregulla shihen si pengesa kryesore që qeveria talebane të njihet ndërkombëtarisht.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like