Një vit pa “mbretin” Pele, ja trashëgimia që la pas

by admin
Spread the love

Si dje, një vit më parë (29 dhjetor 2022) ndërroi jetë Edson Arantes do Nashimento, i njohur në mbarë botën si Pelé. Dje është shënuar përvjetori i parë i lamtumirës së një ikone që ndryshoi futbollin dhe lojtari i vetëm që deri më sot ka fituar tri herë titullin kampion bote.

Një djalë i lindur në Tresh Koraçoesh, në shtetin Minas Geraish, rreth 300 kilometra nga Sao Paulo, përfundoi duke u bërë “O Rei” (Mbreti) pasi ngjiti në majë Brazilin dhe Santosin. I gjithë Brazili u paralizua plotësisht kur mori lajmin se, pas një lufte të gjatë kundër kancerit të zorrës së trashë, idhulli i tij i madh kishte vdekur në moshën 82-vjeçare. Të gjitha stacionet televizive në vend ndërprenë programet e tyre të zakonshme për të ofruar të gjitha homazhet për Pelénë.

HOMAZHE PËR “O REI” – Reagimet ishin të menjëhershme, Zhair Bolsonaro, atëherë president i Brazilit, dekretoi tri ditë zie kombëtare. I gjithë vendi doli në rrugë për t’i dhënë lamtumirën e tij, veçanërisht në qytetin e Santosit, në shtetin e Sao Paulos. Tifozët varën lule dhe flamuj pranë statujës së tij në qytetin e Sao Paulos. Ata gjithashtu bënë murale të shumta në të gjithë shtetin, para të cilave ai u nderua. Nderimi që populli në Brazil i bëri, duke dalë spontanisht në rrugë, ishte ndoshta gjëja më e veçantë, por ishte vetëm një pjesë e tij. “Krishti Shëlbues”, një nga monumentet më ikonë të Brazilit, u ndriçua me ngjyrat e vendit për nder të tij. Gjithashtu, mitiku “Maracaná” u vesh me verdhe-jeshile për t’i thënë lamtumirë mbretit të futbollit botëror që jo vetëm ndriçoi Brazilin, por gjysmën e botës. Në çdo cep të botës ku zhvillohej një ndeshje futbolli, u mbajt një minutë heshtje. Përveç kësaj, lojtarët brazilianë donin të bënin haraçin e tyre përtej rrjeteve sociale. Antoni tregoi një bluzë me mesazhin “Prehu në paqe, Pele” në ndeshjen e tij të parë për Junajtidin, Bruno Guimaraesh doli me fanellën e tij dhe Rodrigo festoi si bënte Pele. Varrimi i tij u mbajt më 3 janar 2023. Mijëra njerëz bënë homazhe për t’i dhënë lamtumirën idhullit të tyre.

Më pas, arkivoli i Peles u transferua në “Memorialin Necropole Ecumenica”, një vend i zgjedhur nga ai vetë sepse “nuk duket si varrezë” dhe ka pamje nga Vila Belmiro, stadiumi i Santosit. FIFA e emëroi fushën e futbollit në selinë e saj në Zyrih me emrin e Pelé. Ajo nuk ishte e vetmja që e bëri këtë. Me emrin e tij emërtoheshin edhe Stadiumi “Villavicencio” në Kolumbi dhe stadiumi kombëtar në Kepin e Gjelbër. Më vonë klubi i Santosit tërhoqi numrin e Peles, edhe pse përkohësisht. Muaj pas vdekjes së tij, Santos ra nga kategoria dhe presidenti i tij njoftoi troç se asnjë lojtar nuk do të mund të veshë përsëri fanellën e tij, derisa ata të ngjiten sërish në elitën e futbollit brazilian. “Për sa kohë që ne nuk ngrihemi përsëri në Kategorinë e Parë, një nivel i denjë për Pelenë, ne nuk do të lejojmë asnjë lojtar të Santosit që të veshë fanellën me numrin 10”, tha ai.

PANORAMASPORT.AL

You may also like