Një tjetër supergol i Preloshit, Dinamo bën detyrën ndaj Turbinës

by admin
Spread the love

Dinamo arrin një fitore të vuajtur në javën e 9-të të Kategorisë së Parë ndaj Turbinës. Në “Selman Stërmasi” “Nëndetësja Blu” triumfon me rezultatin 2-0. Nevojitej një supergol i Preloshit në minutën e 81 që të hapte siparin e golave, ndërsa rezultati final u vulos nga Prodani në frymën e fundit të takimit.

Ndeshja nis menjëherë të jetë e luftuar nga të dyja kampet dhe Turbina jep sinjalet e para të rrezikut. Megjithatë, mundësitë e krijuara nuk finalizohen si duhet nga miqtë, të cilët pretendojnë gjithashtu edhe për një 11-metërsh.

Nga ana tjetër, reagon edhe Dinamo, por portieri kundërshtar është i vëmendshëm. Në ditë të mirë është edhe Edvan Bakaj që bën dy pritje të mira në fundin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Dinamo është më kërkuese dhe krijon më shumë raste. Gjithçka bëhet më e lehtë kur Brahja ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë ekipin e tij me 10 lojtarë. Megjithatë, për të prishur ekuilibrat e takimit mendon Preloshi që realizon një supergol. Goditja e tij akrobatike mposht portierin Laroshi dhe i çon shifrat në 1-0.

Për të vulosur rezultatin final mendon Indrit Prodani që lëshon një predhë nga limitet e zonës dhe mbyll takimin me rezultatin 2-0. Me këtë fitore Dinamo ngjitet në kuotën e 18 pikëve pas 9 ndeshjesh. Nga ana tjetër, Turbina qëndron në vendin e fundit me vetëm 5 pikë. /oversport.tv

You may also like