Një ngasës me xhip rrezikon policinë në veri, këta detyrohen të shkrepin armën

by admin
Spread the love

Një incident ka ndodhur sonte në Mitrovicën veriore, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Rasti ka ndodhur rreth orës 19:20 teksa autoritetet policore kosovare, ishin në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi, transmeton klankosova.tv.

Ngasësi në atë rast ka rritur shpejtësinë, për të ikur nga ndalimi duke shkaktuar rrezik ndaj zyrtarëve policorë, dhe si pasojë e mosbindjes ndaj urdhërit, njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

”Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.
Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.
Automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.

You may also like