Një muaj paraburgim babait që dyshohet se dhunoi dhe sulmoi seksualisht vajzat e tij

by admin
Spread the love

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit F. K..

Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të dhunimit në vazhdimësi dhe të sulmit seksual, përcjell Klankosova.tv.

Sipas kërkesës, “në muajin korrik 2021, në dy raste të ndara, i pandehuri F. K., e detyron të kryejë akt seksual pa pëlqimin e saj, vajzën e tij, të dëmtuarën e mitur, XX. Gjithashtu, në muajin shtator 2020, me qëllim seksual dhe pa pëlqimin e saj, tenton me forcë ta prek të dëmtuarën e mitur, vajzën e tij, XX.”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer dy vepra penale, ”Dhunimi” në vazhdimësi dhe veprën penale “Sulmi seksual”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

”Gjyqtari i procedurës paraprake Shaqir Zika, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të ndjeshme, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, rreziku i ikjes dhe ndikimi në dëshmitarë”.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 07 shkurt 2022 dhe do të zgjasë deri më 06 mars 2022.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

You may also like