Një kthesë ironike në kurriz të shqiptarëve dhe krijimi i aleancës serbo-maqedonase

by admin
Spread the love
Selim Ibraimi

Qeveria kosovare duhet të mënjanojë një konferencë ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha për pjesën veriore ose një Dejton të dytë. Një konferencë e tillë do të kishte pasoja fatale. Takimi i fundit serbo-maqedonas në kuadër të “Ballkanit të Hapur” është një tregues se një aleancë sllave është në ngritje, e cila tashmë merr formë të bashkëpunimit në kuadër të euro-integrimeve. Si duket, maqedonasit kanë dëshirë të hynë përsëri nën sundimin modern serb të shek. 21.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Dështimi i “Ballkanit të Hapur” një vit pas tregon se ideja ka qenë e vështirë të implementohet në Ballkanin e vjetër. Kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe presidenti serb, Aleaksandar Vuçiq, pa përjashtuar këtu mbështetës të tjerë të nismës, si kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në verë të 2022-tës qeshnin bashkë me priftin ortodoks, sot në 2023-tën nuk kanë shumë fjalë të mëdha. Projekti u deklarua i përfunduar ende pa asnjë rezultat. Kryeministri Rama, më në fund, por jo publikisht, e pranoi se “Ballkani i Hapur” është një humbje strategjike për Shqipërinë. Askush nuk besonte se nisma e Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit, një ditë do të shkojë për asgjë në histori, të paktën për Shqipërinë. Dhe, gjithë kjo ndodhi papritmas, nga njoftimi i kryeministrit Rama se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin. Është për t’u habitur se, përveç disa marrëveshjeve të nënshkruara mes shteteve, diçka e rëndësishme nuk ka ndodhur për banorët e rajonit nga kjo nismë. Qytetarët e rajonit ende presin me muaj për një diplomë të marrë në Shqipëri të nostrifikohet në Maqedoni të Veriut apo në Serbi. Udhëtarët dhe transportuesit vazhdojnë po ashtu të presin me orë të tëra në vendkalimet kufitare të shteteve të “Ballkanit të Hapur”. Në fund, po del se “Procesi i Berlinit” mbetet projekti më serioz ekonomik i integrimit të shteteve të Ballkanit në BE. Kur mori hov ky projekt i treshes ballkanike, të gjithë mbështetësit mendonin se ishin në anën e duhur të historisë dhe të tjerët për së koti po shtrojnë disa dilema dhe vërejtje për këtë projekt, i cili në fillim kishte mbështetje të kufizuar nga SHBA-të dhe BE-ja. Tani është tejet e qartë se “Ballkani i Hapur” ka dështuar në praktikë. Në fjalimet e liderëve se një ditë do të konkretizohet me vepra në fund mbeti vetëm një shfaqje publike për banorët e varfër të rajonit dhe, sidomos, të Shqipërisë. Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, pa Serbinë, nuk janë në gjendje të drejtojnë “projekte” si “Ballkani i Hapur”. Beogradi, sigurisht, me fuqinë aktuale ekonomike dhe ushtarake, sovranitetin e shteteve pjesëmarrëse në “Ballkanin e Hapur” e konsideron për asgjë. Aktualisht Beogradi vetëm me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi mund ta zhvillojë lojën e dikurshme të Serbisë jugosllave, duke i dominuar popujt sllavë të Jugut. Si duket maqedonasit kanë dëshirë të hynë përsëri nën një sundimin të ri modern serb- atë të shek. 21.

Takimi i fundit serbo-maqedonas në kuadër të “Ballkanit të Hapur” është një tregues se një aleancë sllave është në ngritje, e cila tashmë merr formë të bashkëpunimit në kuadër të euro-integrimeve. Që nga viti 1991 pjesa qeveritare proserbe e Maqedonisë së Veriut e ka ëndërruar këtë projekt serbo-maqedonas të integrimit në një union të llojit ku vetëm sllavët e jugut do të janë aktorë. Dhe, ja erdhi koha për maqedonasit dhe serbët të jenë afër bashkimit jo vetëm doganorë, por edhe më shumë. Në anën veri-perëndimore të Ballkanit, të krahut serbo-maqedonas, shqiptarët për arsye të ndarjeve historike dhe politikës ditore janë larg formimit të një unioni të përbashkët qoftë ekonomik. Kosova dhe Shqipëria, përkundër disa marrëveshjeve të nënshkruara, nuk kanë prodhuar gjë konkrete në marrëdhëniet në mes dy vendeve. Mungesa e vlerësimit strategjik si për Tiranën dhe Prishtinën zyrtare ka qenë dhe vazhdon të jetë katastrofale për hapësirën shqiptare në Ballkan. Të dy popujt, për nga aspekti psikologjik dhe vullneti kombëtar, janë të papërgatitur për një ndryshim të tillë – bashkim. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për momentin, janë në gjumë të thellë në krahasim me zgjimin kombëtar dhe fetar serbo-maqedonas. Një përfaqësues i partisë shqiptare në pushtet BDI, Ejup Rrustemi, ka marrë pjesë në takimin ndërmjet kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij serb, Ana Bërnabiq, duke dëshmuar politikën ose linjën zyrtare të partisë së kryetarit Ahmeti (BDI) për forcimin e lidhjes serbo-maqedonase, e duke shkelur në anën tjetër vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ngritja e një unioni serbo-maqedonas detyrimisht se do të ndikojë shumë tek baraspesha etno-fetare në Ballkanin Perëndimor. Në vitet në vijim, gjasat janë të mëdha që në Ballkan të këtë ndarje të reja, të cilat që tani kanë një pamje të qartë me forcimin në rritje të lidhjeve Shkup-Beograd. Me tërheqjen e Shqipërisë nga “Ballkani i Hapur” dhe mbetjen aty të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndarja ka shumë gjasa të ndodhë pavarësisht euro-integrimeve. Serbia, si faktor kryesor në Ballkan, do ta mbajë rolin udhëheqës se si rajoni duhet të zhvillohet. Dhe, këtu në veçanti Beogradi do të pyetet për projektin e përbashkët serbo-maqedonas dhe raportet me BE-në dhe aktorët e tjerë globalë. Në marrëdhëniet me Europën dhe SHBA-të, Serbia dhe Maqedonia e Veriut do të favorizohen shumë me ndihma ekonomike dhe ushtarake, të cilat do të rriten në vitet që vijnë. Baraspesha ushtarake dhe ekonomike do të lëkundet. Kjo do të ketë efekte në Kosovë dhe tek popullata e shqiptare në Maqedoni të Veriut. Shqipëria, për arsye të pozitës gjeografike, nga presioni që do të vijë prej aleancës serbo-maqedonase do të përpiqet të mënjanojë pasojat negative të dëmtimit të ekonomisë dhe prodhimit kombëtar, e që daton që kur kryeministri Rama u lidh fortë me Serbinë, ashtu si dikur diktatori komunist Enver Hoxha nënshkroi një regjim të përbashkët doganor me Jugosllavinë e Titos pas LDB-së, më 27.11.1946.

Dejtoni i dytë në kuadër të rënies së interesit për forcimin e shteteve multietnike në Ballkan

Në kuadër të zvenitjes së nismës së “Ballkanit të Hapur”, qeveria në Kosovë jeton me shpresë se SHBA-ja dhe BE-ja do të sillen më mirë me Kosovën. Është e vështirë të thuhet se Uashingtoni është i interesuar më shumë se kaq për Kosovën. Asociacioni Serb në Kosovë (AKS) është detyra kryesore e SHBA-së. Për sovranitetin dhe territorin e Kosovës se në të ardhmen mund të vihet në rrezik, kjo nuk përbën ndonjë shqetësim për Perëndimin. Pse?! Sepse Uashingtoni dhe BE-ja nuk janë më të interesuar që në të gjithë Ballkanin të ketë shtete multietnike. AKS-ja mund të shihet si ndërhyrje e jashtme me një model që do të jetë një mjet politik në këtë fazë të transformimit të disa pjesëve problematike të rajonit deri në bashkëngjitje të këtyre pjesëve në të ardhmen me shtetet plotësisht etnike (amë) në Ballkan. Modeli mund të shërbejë edhe për grupet tjera etnike në Ballkan, varësisht nga kërkesat e tyre politike për vetëqeverisje. Një situatë e tillë mund t’i ndodhë Bosnjës, e cila sipas vlerësimeve të jashtme nuk ka të ardhme si federatë. Përderisa SHBA-ja dhe BE-ja i kanë ngulur këmbët në AKS-në, qeveria në Prishtinë duhet të mënjanojë një situatë tjetër, që Veriu të mos bjerë plotësisht nën kontrollin e forcave ndërkombëtare, ku Prishtina më nuk do të kishte asnjëfarë autoriteti në veri. Më tej, Prishtina zyrtare duhet të manovrojë, të tregohet e shkathtë e jo e ngurtë në leximin e sjelljeve të SHBA-së. Më së paku, qeveria kosovare duhet të shmangë një konferencë ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha për Kosovën ose një Dejton të dytë për Kosovën. Një konferencë e tillë do të kishte pasoja fatale për Kosovën, pasi përfundimisht pjesa veriore do të përfshihej nën kontrollin e serbëve dhe me plot të panjohura për burimet e Kosovës. Në këtë çështje të ndërlikuar në mes Kosovës dhe Serbisë duhet pranuar se nuk ka zgjidhje të drejtë. Të dyja palët kanë argumentet që nuk sjellin marrëveshje të qëndrueshme. Por, një gjë është e sigurt, se një pajtim ose marrëveshje serbo-kosovare do t’u prishte shumë punë rusëve dhe serbëve radikalë. Në veçanti, është e mundur që serbët përfundimisht të jenë bindur se stabiliteti në Veri është në interes të Serbisë dhe serbëve në veri të Kosovës dhe më në fund serbët lokalë do ta pranojnë Kosovën si atdheun e tyre. Ky mbetet skenari më i dëshirueshëm që është i afërt edhe me deklarimet e zyrtarëve të Perëndimit. Një vështrim historik që nga pavarësia e Serbisë nga Perandoria Osmane (1878), njohja e saj nga fuqitë botërore e deri në veprimet e sotme, del se Beogradi do të vazhdojë me politikat aktuale për një Ballkan të ri mbi baza etnike dhe fetare. Aktualisht gjendemi në këtë fazë. Ndoshta me një qeveri tjetër Beogradi mund t’i kthehet Europës e këtu Perëndimi do t’u jepte fund përkëdheljeve. Por, tani për tani gjërat janë ashtu siç i përshkruam më lart dhe mund të marrin formë në drejtime të ndryshme varësisht se kur dhe si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Duke u marrë me vetveten dhe duke akuzuar Perëndimin se pse është në anën e Serbisë, shqiptarët në Ballkan i rrisin gjasat që ta humbin rolin rajonal në këtë shekull. Duke e ditur se politika e shteteve europiane, me përjashtim të botës gjermanike, historikisht nuk ka qenë në favor të shqiptarëve në Ballkan, atëherë është e njëjta BE sot e cila, duke mbrojtur interesat ekonomike dhe politike të vetat, nuk i intereson shumë se kush më kë është, por synon ta rrisë sigurinë e vet brenda unionit. Përderisa shqiptarët në Ballkan nuk do ta shohin Europën e sotme nga ky kënd, vajtimet dhe kritikat se pse BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë më me shqiptarët, do të vazhdojnë, duke mos prodhuar asgjë konkrete për Kosovën, Shqipërinë dhe aq më pak për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që po shkojnë drejt asimilimit prej partive të tyre që qeverisin me maqedonasit. Koha është që klithmat të ndërpriten dhe të punohet së bashku me aleatët rajonalë dhe fuqitë botërore, ku interesi ushtarak dhe ekonomik shqiptar mund të rritet me respekt dhe të sjellë forcë dhe pozicione përkatëse në politikën europiane dhe botërore. /revistashenja

You may also like