Një kamerunas i jep fitoren Zvicrës në debutim, Embolo ndëshkon vendin e tij të lindjes

by admin
Spread the love

Ka filluar Botërori edhe për Grupin G (ku bëjnë pjesë edhe Brazili dhe Serbia), me Zvicrën që merr një fitore të çmuar përballë Kamerunit në debutimin në Katar 2022. Ka qenë një gol i Embolo në fillimin e pjesës së dytë, ai që ka vulosur fatin e kësaj sfide.

I lindur në kryeqytetin e Kamerunit, por pjesë e skuadrës zvicerane, është pikërisht sulmuesi i Monacos ai që ndëshkon vendin e lindjes dhe i jep fitoren helvetëve. Embolo shënon por nuk feston, në shenjë respekti ndaj vendlindjes.

Pjesa e parë mbyllet pa gola dhe pa shumë raste të pastra për shënim. Por edhe ato që krijohen janë në favor të Kamerunit. Skuadra e teknikut Song i afrohet golit me Mbeumo, Hongla dhe Ekambi, ndërsa rasti i vetëm për Zvicrën është në fund të pjesës së parë me Akanji.

Pjesa e dytë nis menjëherë me gol. Është Embolo ai që zhbllokon sfidën, pas një asisti të dhënë nga Shaqiri, që luan Botërorin e tij të 4-t me fanellën e Zvicrës.

Kameruni mundohet të reagojë, por është sërish Zvicra ajo që i afrohet golit të dytë me Vargas, por Onana ruan të paprekur portën e tij. Zvicra i afrohet sërish golit me Embolo dhe Xhakën, por nuk arrin që të shënojë golin e sigurisë. Pavarësisht përpjekjeve të afrikanëve, mbyllet me fitoren minimale të Zvicrës kjo sfidë e parë e grupit G. / Oversport.tv

Foto: FIFA World Cup Twitter

You may also like