Një derë as e hapur dhe as e mbyllur

by admin
Spread the love

Gjendja me derë as të mbyllur dhe as të hapur në njërën anë dhe fuqizimi i Rusisë dhe i Kinës në anën tjetër, do të duhej ta bënte më syhapur dhe më të përgjegjshme Bashkimin Europian, ngaqë të jetuarit në amulli dhe në dykuptimësi është mërzi, është hipokrizi dhe është mundësi e krijimit të hapësirave, ku forca tjera mund të veprojnë e mund të ndikojnë në këto vende.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Në diplomaci fjala jo dhe fjala kurrë, kurrë nuk përdoren haptas, qartë dhe drejtpërdrejt, sidomos diplomacia evropiane është e shquar për këtë. Nëse nuk të duan në familjen e tyre, ata janë në gjendje tëtë vendosin kushte e kushte, që posa ta plotësosh njërin, të kushtëzojnë me një kusht tjetër, derisa të lodhin e të shkërmoqin prore, por sërish si ata dhe si ti, nuk mund t’i jepni fund këtij rrugëtimi nëpër mjegulla e me shumë shenja të panjohura në rrugë. Turqia ende formalisht është kërkuese për integrim në familjen europiane, por si ajo, ashtu edhe BE-ja e kanë të qartë se duhet të rrojnë në paqartësi, ku BE-ja nuk do t’i thotë se nuk mund të integrohet, po ashtu edhe Turqia nuk do t’i thotë se do t’i shuajë ambiciet për integrim. Mirëpo, për dallim prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, hiqe këtu Kroacinë, Turqia u zhvillua përbrenda dhe u faktorizua përjashta, saqë këtë amulli integruese e sheh tashmë si zbavitëse dhe në anën tjetër ia mundëson Europës ta shpërfaqë fytyrën e saj të vërtetë për sa i përket proceseve integruese, ngaqë t’i plotësojë më mirë kushtet dhe standardet Bullgaria dhe Hungaria përpara Turqisë, kjo është e pakuptimtë dhe e pakapshme, por njëherësh tregues se standardet dhe kushtet kanë standarde dhe kushte tjera të hirta, që i bie se më së paku janë standarde dhe kushte, prapa të cilave mund të shihen politikat e interesit të ulët dhe jo parimisht politikat e drejta, për të cilat mëton se i takon.

Sado që përpiqet BE-ja t’ia jep njëfarë kuptimi standardeve të shumëfishta për sa i përket integrimit, ajo tashmë çdo ditë e më tepër po i shfaqë problemet e brendshme, sidomos largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian qe një simptomë që tregoi një gjendje të rëndë dhe njëherësh një shenjë treguese se kah po shkon BE-ja. Shtoja kësaj panorame jo të këndshme për sytë, zërave se e djathta që është në pushtet po ndjek një politikë që mund të çojë Poloninë në një Polexit, sidomos me rastin kur Gjykata Kushtetuese polake në Varshavë vendosi që pjesë të së drejtës së BE-së janë të papajtueshme me të drejtën kombëtare polake. Po ashtu, kuvendi hungarez miratoi një ligj, në të cilin pedofilia dhe homoseksualizmi duhet të trajtohen në një rregull dhe informacion, fjala vjen, shkolla për të rinjtë lidhur me orientime të tjera seksuale duhet të ndalohet, ligj ky i papranueshëm për legjislaturën dhe vlerat europiane, ku me këtë rast, menjëherë trembëdhjetë vende të BE-së e dënuan ashpër ligjin e Hungarisë për homoseksualët, sepse ai shkel vlerat europiane. Për të mbizotëruar ngjyra e zezë në panoramën e integrimit, së fundmi krerët e Bashkimit Europian në Samitin në Bërdo të Sllovenisë, thanë hapur se as viti 2030, nuk mund të merret si një datë për anëtarësim!

Çfarë tëshkruash për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat ende nuk po mund të marrin datë për fillimin e negociatave për integrim në BE? Po për Kosovën që pavarësisht kompromiseve të shumta, BE-je ende po e mbanë peng përmes regjimit të vizave? Po ashtu, Bosnja që përpos pranisë së regjimit të vizave e dështimeve të mëdha e të dhimbshme europiane qysh në kohën e luftës, ajo vazhdon të mbahet në pozitën e shtetit jofunksional, shtetit të brishtë dhe në përgjithësi shtetit me të ardhme të pasigurt për ekzistencë, gjendje kjo që i mbanë të trazuara shumë vatra tjera. Shqipërinë kur duan ta pengojnë, lehtësisht e kushtëzojnë me sundimin e ligjit dhe pastrimin e vendit nga krimi, mirëpo po të ishte vërtetë e interesuar BE-ja për një Shqipëri ku sundon drejtësia e dëshiruar nga BE-ja, atëherë BE-ja do ta bënte, por ajo sillet sikurse ai që kërkon punë, por në anën tjetër asnjë veprim nuk e ndërmerr për të gjetur punë. Maqedoninë e Veriut e detyruan ta ndërrojnë emrin në emër të proceseve euro-atlantike, mirëpo ia gjetën Bullgarinë si pengesë, edhe pse kur Shkupi u anëtarësua në NATO, e njëjta Bullgari dhe me të njëjta konteste, nuk bëzajti fare, gjë që lihet të nënkuptohet se para se gjithash interesi i NATO-s ishte që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e saj dhe në rastin e BE-së, para se gjithash është interesi i Maqedonisë së Veriut të bëhet anëtare e saj, standarde aspak të drejta dhe shembull hiç i mirë në proceset integruese.

Megjithatë, gjendja me derë as të mbyllur dhe as të hapur në njërën anë dhe fuqizimi i Rusisë dhe i Kinës në anën tjetër, do të duhej ta bënte më syhapur dhe më të përgjegjshme Bashkimin Europian, ngaqë të jetuarit në amulli dhe në dykuptimësi është mërzi, është hipokrizi dhe është mundësi e krijimit të hapësirave, ku forca tjera mund të veprojnë e mund të ndikojnë në këto vende. Kësodore, një derë as e hapur dhe as e mbyllur, nuk meriton të quhet derë, madje nuk meriton as të ekzistojë si derë dhe aty ku mungon dera, në të vërtetë mungon vetë godina! /shenja

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *

Lajme interesante

You may also like